Kosova
Sot përpjekja e 38-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kosovës do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re, të 38-ën me radhë, për ta konstituar Kuvendin. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, përcjell albinfo.ch.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.
Referuar partisë së parë, Vetëvendosjes, obligimi për të pëfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
Po ashtu Vetëvendosje vlerëson se zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.
Sipas interpretimit të Vetëvendosjes votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.
Aktgjykimin e Kushtetueses e ka mirëpritur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha “Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”.
Krasniqi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, “i jep fund lojës së Lëvizjes Vetëvendosje për vonesa”.
“E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.”, tha Krasniqi.
Në një reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive që të respektojë dispozitat kushtetuese dhe rregulloren e punës së Kuvendit, duke iu rikthyer skenarit të dakorduar për zhvillimin e seancës dhe për të proceduar me votim të hapur.
“Po ashtu, siç e përcakton neni 187 i aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat e deritashme parlamentare, si dhe t’i kthehet skenarit të dakorduar të seancës konstituive për të proceduar me votim të hapur”, vijon reagimi i tyre.
E Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit.
Derisa përmendi vendimin që thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve, Haradinaj ka thënë se Kushtetuesja ka krijuar bazë ligjore “për të dalë nga ngërçi i krijuar”.
“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike”, ka thënë Haradinaj.
Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses është lehtësues.
Seanca e sotme pritet të nisë në ora 11:00.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Madrid: Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa debuton në “Teatro Real” Baritoni Gëzim Myshketa debuton në Madrid përkrah emrave të mëdhenj të operës botërore...
-
Spitex BajRon AG, ju flet shqip
-
Byreku shqiptar në festivalin 2025 në Illinois
-
Prizreni mirëpret diasporën me parkim falas në oborret e shkollave
-
Arratiset gjatë transportit të të burgosurve – Policia kërkon 23-vjeçarin shqiptar
Jeta në Zvicër
-
Grabiten implante dentare me vlerë rreth 1 milion CHF në Oensingen Një grabitje profesionale ka ndodhur të martën në mbrëmje në një kompani të specializuar në prodhimin...
-
UBS fillon migrimin e klientëve zviceranë të Credit Suisse
-
Tre sulme seksuale në vetëm dy orë në Biel
-
Gotthard: Radhë prej 10 kilometrash në nisje të pushimeve verore
-
Taksimi i shoferëve të huaj: A është zgjidhja për bllokimet e trafikut gjatë verës?