Lajme
Sot zgjidhet kancelari i ri i Gjermanisë
Gjermani, Olaf Scholz largohet si kancelar

Nga Bundestagu në rezidencën presidenciale Bellevue – e pastaj nga Bellevue në Bundestag: këto janë stacionet në zgjedhjen e kancelarit gjerman sot dhe fillimin nga puna të kabinetit të ri qeveritar pas betimit, transmeton dw, përcjell albinfo.ch.
Nëse çdo gjë shkon sipas planit, marrin fund sot gjashtë muaj ngërç politik në Gjermani. Pikërisht gjysmë viti pas prishjes së koalicionit mes socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe liberalëve (koalicioni i njohur si semafor) do të niste punën sot koalicioni i pestë i Unionit konservator dhe socialdemokratëve, (zi-kuq).
Në rast se kreu i CDU-së Friedrich Merz sot merr numrin e nevojshëm të votave në Bundestag do të veprohet kështu:
Në orën 09:00 mblidhet Bundestag për zgjedhjen e kancelarit, hapja e seancës bëhet nga presidentja e tij, Julia Klöckner dhe nuk ka fjalime. Friedrich Merz ka nevojë për miratimin e shumicës së anëtarëve të Bundestagut, 316 vota. Në Bundestag ka 328 deputetë nga CDU/CSU dhe SPD. Pavarësisht se diferenca e numrave nuk është e madhe, zgjedhja në raundin e parë konsiderohet si mjaft e sigurtë. Më pas kancelari i zgjedhur (10:30) merr emërimin nga presidenti Steinmeier.
Merz kthehet më pas në Bundestag, ku në orën 12:00 do duhet të bëhet betimi. Betimi përmban këtë deklaratë: “Betohem se do t’i kushtoj forcën time mirëqenies së popullit gjerman, do të shtoj përfitimet e tij, do të shmang dëmin, do të respektoj dhe mbroj Ligjin Themelor Kushtetues dhe ligjet e Federatës, do t’i përmbush me ndërgjegje detyrat e mia dhe do të veproj me drejtësi ndaj të gjithëve. Me ndihmën e Zotit.” Referenca për Zotin mund të hiqet, siç bëri Olaf Scholz në 2021.
Më vonë bëhet emërimi i ministrave. Merz kthehet sërish në Pallatin Bellevue tek Steinmeier – këtë herë së bashku me kabinetin e tij. Ministrat tani do të marrin certifikatat e tyre të emërimit nga Presidenti Federal. Steinmeier mban një fjalim të shkurtër, ku me gjasë i përmend qeverisë së re detyrat që ka përpara dhe pritshmëritë ndaj saj.
Në 13:30 pastaj sërish kthim në Bundestag: Me këtë bëhet i ditur formimi i qeverisë së re federale dhe ministrat bëjnë betimin. Në orën 15:00 kancelari Scholz zyrtarisht në zyrën e kancelarit ia dorëzon detyrën pasuesit, Merz. Në orët e pasdites dorëzimin e detyrës e bëjnë edhe ministrat.
Vizitat e para
Nëse zhvillimet ecin sipas planifikimit, që të mërkurën, ditën e parë të plotë si kancelar i ri, Merz do të vizitojë fillimisht Francën dhe më pas Poloninë. Ministri i tij i Jashtëm, Johann Wadephul mendohet ta shoqërojë atë. Të premten, Merz planifikon të udhëtojë në Bruksel për t’u takuar me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
E-Diaspora
-
Në pushime me fëmijën, në kohë shkolle: Kjo mund t`i kushtojë 1000 euro kosovares Ligji për Arsimin, në Bavari, thotë: “Kushdo që nuk siguron që të miturit në moshën e...
-
TECH FORUM 2025, Cyrih: Kosova dhe shqiptarët, një “superfuqi” e TI-së
-
Katër shqiptarë akuzohen për mashtrim kibernetik, dëmi: Mbi një miliard euro
-
Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve
-
Gjermani: Arrestohet mërgimtari në trenin Euro-City, kishte dokumente false
Jeta në Zvicër
-
10 gabimet që duhet të shmangësh në RAV që të mos humbësh ndihmën nga papunësia Nëse je i papunë në Zvicër dhe i regjistruar në RAV, duhet të ndjekësh disa rregulla...
-
Dhuna ndaj referëve: Përdorimi i kamerave trupore në futbollin amator të Zvicrës
-
Fund i epokës për shkollat vetëm për vajza, vendimi që sfidon sistemin e arsimit të ndarë në Zvicër
-
Zugu, qendra e kriptomonedhave në Zvicër
-
Pagat, duhet një ligj i ri për shkëmbimin e të dhënave me Italinë dhe Francën