Lajme

Apelon specialistja shqiptare nga Gjeneva: Vaksinimi nuk është konspiracion, por çështje mbijetese!

“Për fëmijët më të rritur dhe adoleshentët, në prezencë të sëmundjeve të zemrës, mbipeshës, diabetit, sëmundjeve të sistemit imunitar, etj., vaksinimi është i rekomanduar për shkak se e parandalon zhvillimin e një forme më të ashpër të infeksionit”, thotë specialistja e pediatrisë, Dr. Fortesa Mehmeti nga Gjeneva

Në debatin e gjerë mbi pasojat e Covid-19 dhe masat kundër tyre, kohëve të fundit përfshihet më shumë se më parë, edhe trajtimi i fëmijëve dhe të miturve. Në këtë kontekst, kërkohet më tepër mendimi i pediatërve, krahas specialistëve të tjerë.

Për këtë arsye, Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me dr. Fortesa Mehmetin, specialiste e pediatrisë dhe shefe e klinikës në Repartin e Mjekësisë Intensive të Pediatrisë, në Spitalin Universitar, në Gjenevë. Dr. Fortesa shpjegon në terma të qarta dhe të kuptueshme për publikun paraqitjen e Covid-19 te fëmijët dhe specifikat që ka trajtimi i tij te grupmoshat e reja.

Fortesa Mehmeti është e lindur në vitin 1990 në Prishtinë, kurse në Zvicër familja e saj ka emigruar në vitin 1995 për shkak të përndjekjeve dhe burgosjeve politike nga regjimi serb. Gjithë shkollimin sikur edhe fakultetin e mjekësisë e ka kryer në Gjenevë. Ka mbaruar specializimin e pediatrisë në Spitalin Universitar të Gjenevës, dhe pastaj ka vazhduar edhe në degën e mjekësisë intensive të pediatrisë. Një pjesë të këtij subspecializimi e ka përfunduar në Lyon të Francës, ku janë trajtuar shumë fëmijë dhe të rritur, të infektuar me COVID-19 në gjendje kritike.

Sot, dr. Fortesa Mehmeti është shefe e klinikës, në repartin e mjekësisë intensive të pediatrisë në Gjenevë.

Albinfo.ch: Ndodhemi në vitin e dytë të pandemisë së Covid-19. Krahas kategorive të tjera, kjo pandemi prek, edhe pse në masë më të vogël, edhe fëmijët. Në bazë të njohurive Tuaja si pediatre, si paraqitet Covid-19 te fëmijët, gjegjësisht çfarë e dallon këtë paraqitje në krahasim me atë te moshat e tjera?

Dr. Fortesa Mehmeti: Paraqitjet e sëmundjes Covid-19 dallojnë shumë te fëmijët, edhe pse mekanizmi patogjen është i ngjashëm dhe rezulton si një përgjigje joadekuate e sistemit imunitar ndaj virusit që shkakton inflamacion. Përderisa tek njerëzit e rritur ajo mund të shfaqet, prej simptomave më të lehta gripale deri tek një infeksion i mushkërive që shkakton mungesë të oksigjenit në gjak, këto shfaqje janë më të rralla tek fëmijët, edhe pse janë parë tek disa pacientë, por në përmasa më të vogla.

Në shumicën e rasteve, fëmijët nën moshën 18 vjeçe, që janë infektuar me virusin COVID-19 janë asimptomatik ose me sindrom gripal. Megjithatë, një pjesë e tyre kanë zhvilluar një sindrom që sot njihet si “Multisystem Inflammatory Syndrome in Children (MIS-C)”, që i afrohet një sindromi tjetër që quhet sëmundja Kawasaki. Ky sindrom shfaqet si një inflamacion i rëndë në gjak, që zhvillohet 1-3 javë pas infektimit me virusin COVID-19. Kjo do të thotë se këta fëmijë paraqiten në spital me një test PCR negativ, por analizat serologjike të antitrupave tregojnë që më parë kanë qenë në kontakt me virusin.

Simptomat që mund të paraqiten nga MIS-C janë të ndryshëm: temperaturë e lartë, lodhje e skajshme, kollitje, dhimbje fyti, dhimbje barku bashkë me barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, dhe skuqje të lëkurës. Në rastet më të rënda, edhe muskujt e zemrës dhe enët e gjakut pësojnë dëme dhe këta fëmijë kanë nevojë për mjekim në kuadër të repartit të kujdesit intensiv.

Fatmirësisht, arritjet në mjekësi dhe sidomos bashkëpunimi ndërmjet shteteve të ndryshme dhe shkëmbimi i të dhënave ndërmjet qendrave klinike-universitare nëpër botë kanë rezultuar në trajtim të suksesshëm dhe shumica e fëmijëve qëndrojnë vetëm disa ditë në repartin intensiv. Sipas të dhënave aktuale, besohet se këta fëmijë nuk do të kenë pasoja afatgjata.

Albinfo.ch: Fakti që fëmijët janë më pak të prekur, a nënkupton që ata të mos u nënshtrohen masave të njohura mbrojtëse nga Covid -19?

Dr. Fortesa Mehmeti: Përgjigja në këtë pyetje nuk është edhe aq e thjeshtë. Edhe pse fëmijët janë më pak të prekur dhe bartin më pak virusin sesa të rriturit, nuk bën të minimizohet pesha e tyre në pandemi. Shpjegimi rrjedh nga fakti se shumica e studimeve janë bërë atëherë kur shkollat kanë qenë të mbyllura dhe fëmijët kanë pasur më pak kontakt ndërmjet tyre. Sot po dalin disa studime të reja, dhe ato po japin rezultate të ndryshme.

Në këtë kontekst, fëmijët mbi moshën 12-vjeçare duhen t’u nënshtrohen masave të njëjta sikur të rriturit. Për fëmijët më të vegjël, masat duhen t’i përshtatën moshës. Larja e duarve për shembull është pjesë e higjienës personale që duhet të mësohet prej moshës më të vogël sepse e parandalon shumicën e sëmundjeve infektive virusale, jo vetëm infektimin me COVID-19. Një shembull shumë domethënës e tregon fakti që këtë dimër në pediatri është regjistruar një numër jashtëzakonisht i vogël i infektimeve me virusin RSV (Respiratory Syncytial Virus), virus i cili i prek mushkëritë e foshnjave dhe disa prej tyre kanë nevojë për intubim që të mbijetojnë. Zvogëlimi i këtij numri është arritur falë masave mbrojtëse. Kurse në verë, atëherë kur ky virus zakonisht nuk qarkullon, numri i tyre ka shënuar një rekord dhe kjo shpjegohet mes tjerash edhe me lehtësimin e masave të përgjithshme.

Pra pyetjes tuaj, personalisht do t`i përgjigjesha që ata duhen tu nënshtrohen masave mbrojtëse, për të mbrojtur së pari veten jo vetëm nga COVID-19 por edhe nga sëmundje tjera virusale, dhe pastaj edhe familjarët e tyre.

Albinfo.ch: Ku dallon trajtimi i fëmijëve nga ai i të rriturve në këtë kontekst?

Dr. Fortesa Mehmeti: Ia vlen të theksohet se të dhënat aktuale e mbështesin përdorimin e medikamenteve vetëm tek pacientët në gjendje të rëndë. Kur flitet për trajtimin e një sëmundjeje, duhet çdo herë të merren parasysh dy gjëra: trajtimi i shkaktarit të sëmundjes dhe pasojat e kësaj sëmundjeje, që tek të rriturit janë një pneumoni e rëndë kurse tek fëmijët ndonjë problem në zemër (insuficiencë kardiake) dhe enët e gjakut.

Për trajtimin e inflamacionit në gjak, nuk ka shumë dallim ndërmjet moshave sepse të gjithë trajtohen me një varg medikamentesh që kanë për synim uljen e inflamacionit dhe pasojat e tij, siç janë kortikoidet, medikamentët antivirale ose antitrupat si dhe barnat që veprojnë në mekanizmin e inflamacionit.

Dallimi qëndron sidomos tek trajtimi i pasojave.

-Te të rriturit, pjesa më e vështirë është ta sigurosh një nivel oksigjeni në gjak që është i përshtatshëm për funksionet vitale, dhe ky mund të arrihet përmes oksigjenoterapisë së thjeshtë deri tek intubimi sipas ashpërsisë së sëmundjes.

-Te fëmijët, dëmi që i shkaktohet zemrës dhe enëve të gjakut për shkak të inflamacionit, bën të pamundur që shtypja e gjakut të mbahet në nivel të duhur. Prandaj ata kanë nevojë për kujdes intensiv dhe medikamente që ndihmojnë në funksionimin e zemrës dhe mbajtjen e shtypjes së gjakut. Ndonjëherë kjo nuk arrihet përmes medikamenteve dhe tek disa nga pacientët, edhe pse në raste të izoluara, ka nevojë për një aparaturë shumë më të sofistikuar që mundëson qarkullimin jashtë trupor të gjakut.

Albinfo.ch: Në Zvicër dhe kudo në botë kohëve të fundit po zhvillohet një debat nëse duhet të vaksinohen nga Covid-19 dhe fëmijët ose jo. Cili është mendimi Juaj lidhur me këtë?

Dr. Fortesa Mehmeti: Mendimi im përputhet me rekomandimet aktuale të organeve shëndetësore të shtetit zviceran. Në bazë të të dhënave aktuale shkencore, nuk ka ende shënime që do të rekomandonin vaksinimin e fëmijëve nën moshën 12-vjeçare. Për fëmijët më të rritur dhe adoleshentë, në prezencë të sëmundjeve të zemrës, mbipeshës, diabetit, sëmundjeve të sistemit imunitar, etj. vaksinimi është i rekomanduar për shkak se e parandalon zhvillimin e një forme më të ashpër të infeksionit.

“Nuk është lojë apo konspiracion, është një situatë shumë e rëndë”

Me anë të kësaj interviste, shfrytëzoj rastin që t’u bëj apel të gjithë shqiptarëve në Ballkan dhe në diasporë, që të vaksinohen sa më shpejt dhe ta marrin këtë pandemi me shumë seriozitet. Nuk është lojë apo konspiracion, është një situatë shumë e rëndë dhe këtë e dinë më së miri, për fat të keq, ata njerëz të cilët i kanë humbur anëtarët më të shtrenjtë të familjes së tyre. Kjo situatë mund të përkeqësohet edhe më shumë me qarkullimin e variantit Delta, për të cilin ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme. I lus pra shqiptarët që t’i përcjellin rekomandimet zyrtare të organeve shëndetësore dhe jo thashethemet e njerëzve jokompetent. Vaksina është e sigurt tek të rriturit dhe e testuar në miliona njerëz. Ajo parandalon format e rënda të sëmundjes COVID-19, dhe më e rëndësishmja, parandalon vdekjen.

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI