E-Diaspora

SR Delemont fiton ndeshjen ndaj FC Kosovës

FC Kosova Zürich e nis mirë kampionatin por pikët i morën mysafirët

Situata e vështirë që ka kaluar futbolli në këtë kohë pandemie ka bërë që shumë klube shqiptare ne Zvicër të ballafaqohen me sfida të reja në riorganizimin e ekipeve. Klubi më i sukseshëm shqiptar në Diasporë, FC Kosova Zürich ka bërë të gjitha përgatitjet për të synuar mesin e kreut të tabelës në këtë sezon.

Kështu lojtarët e FC KOSOVA Zürich kanë pasur mundësinë gjatë pauzës së detyrueshme të pandemisë, të njihen dhe të zbatojnë idenë e re të trajnerit, i cili i ka stërvitur lojtarët për lojë imponuese duke ju kërkuar atyre ta dominojnë kundërshtarin me lojë e disiplinë.

Lojën e parë kampionale ata e nisën mirë e duke dominuar kundërshtarin. FC Kosova Zürich synonte fitore, ani pse e dinte që kundërshtari ishte një nga ekipet favorite në këtë grup që priste gabimet e kundërshtarëve për të ndëshkuar.

„Ne e mbajtëm topin në radhët tona mirë dhe me kombinime krijuam shanse të mira për shënim. Mirëpo u desh të presin deri në minutën e 20 kur pas një aksioni të bukur, Guliano Medaglia godet nga një distancë prej 20 metrash dhe tund rrjetën e ekipit mysafir. Goli u krijua përmes një pasimi gjenial në thellësi nga kapiteni Rinor Avdili tek Da Silva që u realizua nga Medaglia“, u shpreh presidenti i klubit Nesret Limani.

Fc Kosovas Zürich po luante mirë dhe nuk po i jepte kundërshtarit hapësirë ​​për t’u riorganizuar. Mirëpo pak para përfundimit të pjesës së parë, në një duel të ashpër, u lëndua lojtari Meriton Kastrati, i cili u zëvendësua në minutën e 42 nga Taulant Limani.

Pjesën e dytë, FC Kosova nuk e startoi mirë dhe po i jepte kundërshtarit hapësirë për të zhvilluar lojën e tij. Mungesa e Kastratit po ndihej dhe kundërshtari po fitonte terren. Ata po luanin me pasime të shpejta e po krijonin kështu raste për shënim.

Përderisa FC Kosova ende nuk ishte këndellur nga dëmtimet e pësuara, Delémont krijoi një aksion të shpejtë në minutën e 61 -të, i cili përfundoi me golin e barazimit në rrjetën e portierit Lazraj.

„Ne ishim ende në procesin e gjetjes së njëri -tjetrit, kur praktikisht ndodhi e njëjta situatë si në rastin e barazimit dhe kundërshtari arrit të shënojë dy here brenda dy minutave për shkak të mungesës së përqendrimit të lojtarëve në mesfushë“, thotë për albinfo.ch presidenti i klubit, Nesret Limani.

Kosova krijoi shanse të tjera të mira për shënim përmes Renia tek Avdili, i cili për fat të keq nuk arriti ta barazonte rezultatin. Mirëpo skuadra me përvojë, RS Delemont, po kontrollonte rezultatin duke pritur rastin për kundërsulm. Kështu kur po luhej loja shtesë, në minutën e 94 -të kundërshtari ngriti epërsinë përmes penalltisë në 1 me 3.

Me këtë rezultat FC Kosova Zürich e mbylli lojën e parë kampionale pa arritur të marrë pikë, por duke treguar lojë të mirë, vullnet për fitore e entuziazëm që futbolli po luhej prapë, ndonëse me masa parandaluese, me prezencë të shikuesve.