Kosova

SRF: 15 vjet pavarësi dhe Kosova ende po lufton për vendin e saj në botë

Shpallja e pavarësisë së Kosovës u realizua 15 vjet më parë. Vendi ka arritur të krijojë struktura shtetërore funksionale brenda pak vitesh

17 shkurti i sivjetëm, Dita e Pavarësisë së Kosovës, ndryshe nga vitet e tjera ka kaluar disi në heshtje nga mediat zvicerane. Pak më tepër rreth jubileut kosovar kanë shkruar mediet gjermane dhe austriake, por duket, preokupimi me luftën në Ukrainë dhe me tërmetet në Turqi e Siri, kanë bërë të tyren…

Një ndër tekstet e pakëta që megjithatë janë publikuar është një artikull i gjatë në transmetuesin publik të Zvicrës, SRF, i realizuar nga “vendi i ngjarjes”, nga Prishtina pra, në ditën e festës, shkruan albinfo.ch. Në vazhdim, artikulli, me pak shkurtime.

Kosova është në atmosferë festive. Kryeqyteti Prishtina është zbukuruar me ngjyrat kombëtare dhe vendi po feston Ditën e Pavarësisë me një paradë të madhe në bulevardin qendror të qytetit.
Në fakt, kjo do të ishte një ditë e mirë për të shikuar drejt të ardhmes. Por e kaluara e Kosovës vazhdon ta mbulojë atë. Kjo shkakton zhgënjim tek shumë njerëz, thotë politologia Donika Emini, sepse shpallja e pavarësisë e vitit 2008 ishte e lidhur me pritshmëri të larta: “Njerëzit janë të zhgënjyer që mbeten të mbërthyer në vitet 1990 në vend që të ecin përpara drejt një të ardhmeje evropiane”.
Vendi ende nuk njihet nga fqinji i saj i madh Serbia dhe një pjesë e madhe e pakicës serbe nuk ndjejnë se i përkasin Kosovës, transmeton albinfo.ch. Konflikti i pazgjidhur pengon zhvillimin në Kosovë në shumë nivele.

Marrëdhëniet me Serbinë si çështje kyçe

René Schlee gjithashtu e sheh çështjen po në këtë mënyrë. Ai drejton zyrën e Fondacionit Friedrich Ebert në Prishtinë. Ky fondacion është i afërt me socialdemokratët gjermanë. Schlee thotë: “Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në fakt çelësi që Kosova të jetë realisht në gjendje të integrohet ndërkombëtarisht”.

Kina dhe Rusia ende po bllokojnë pranimin e Kosovës në OKB, duke mbajtur anën e Serbisë. Por edhe me një integrim të mundshëm në BE, nuk ka përparim, sidomos për shkakun se pesë shtete të BE-së gjithashtu nuk e njohin Kosovën.

Konflikti me Serbinë jo vetëm që pengon njohjen ndërkombëtare të Kosovës, por edhe formëson perceptimin e vendit nga të tjerët. Kjo ka pasoja, thotë Emini, e cila udhëheq një platformë për organizatat civile në Prishtinë. “Ekonomia është në gjendje të keqe, përcjell albinfo.ch. Në mediat ndërkombëtare Kosova paraqitet si një vend i paqëndrueshëm në prag lufte”, thotë Emini. Kjo e bën atë jo tërheqëse për investime.

Përveç mungesës së investimeve, ekonomia po përballet edhe me probleme të tjera. Kosova është e varur nga importet e huaja. Prandaj, inflacioni e godet Kosovën më shumë se të tjerët. Përveç kësaj, ka një papunësi të lartë të vazhdueshme. Rreth çdo i treti person është i prekur nga kjo. Emini thotë: “Nuk shoh ndonjë strategji afatgjatë se si vendi dëshiron të zhvillohet ekonomikisht që të mos varet vetëm nga transfertat nga diaspora”. Sepse kjo nuk është e qëndrueshme.

Një mori sfidash dhe megjithatë një histori suksesi

Shumë kosovarë e provojnë fatin jashtë vendit. Ashtu si vendet e tjera të rajonit, edhe Kosova vuan nga nivelet e larta të emigrimit, transmeton albinfo.ch. Për shkak të sfidave të shumta, shumë njerëz kanë shpresa të mëdha për partinë në pushtet Vetëvendosje. Partia fitoi zgjedhjet e fundit në vitin 2021 me një rezultat rekord dhe nisi me premtime të mëdha reformash.

Deri më tani, megjithatë, ajo ka mbetur jashtë pritshmërive. Emini: “Ka pasur njëfarë progresi, për shembull në luftën kundër korrupsionit. Por kjo nuk mjafton, duke pasur parasysh sfidat dhe pritshmëritë e mëdha”.

Dhe përkundër kësaj morie sfidash, Kosova është megjithatë një histori suksesi. Vendi ka arritur të krijojë struktura shtetërore funksionale brenda pak vitesh. Ndryshimi i pushtetit në zgjedhjet e fundit tregon se demokracia funksionon, përcjell albinfo.ch. Dhe së fundi, pavarësia në vetvete është një sukses i madh, sipas Eminit. Një pavarësi që ka “ja ka dalë”, përkundër të gjithave.