Kosova
Stoltenberg: Marrëveshja NATO-FSK për veriun e Kosovës, ende e vlefshme
Në një prononcim, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri të qartë gjatë një vizite në Prishtinë se në bazë të marrëveshjes NATO-FSK, kjo e fundit nuk mund të hyjë në veri të Kosovës pa koordinim me trupat e KFOR-it, shkruan DW.
Gjatë takimeve që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se autoritetet kosovare duhet të respektojnë marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që FSK të mos hyjë në pjesën veriore të Kosovës pa marrëveshje me KFOR-in.
“Kjo është diskutuar dhe e mirëpres që autoritetet e Kosovës vazhdojnë të mbështetësin marrëveshjen e vitit 2018, që FSK të mos kalojë në pjesën veriore pa marrëveshjen e KFOR-it. Kjo reflekton sensitivitetin e situatës dhe është mënyra më e mirë për të gjetur një balancë. Ne vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen e një marrëveshjeje politike në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd”, tha Stoltenberg.
Kurti: Marrëveshje e dëmshme për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë marrëveshje të rikonfirmuar në vitin 2018 ndërmjet NATO-s dhe presidentit të atëhershëm, Hashim Thaҫi, e sheh të dëmshme për Kosovën dhe si të tillë një muaj më parë ai e ka dërguar në prokurori. Sipas Kurtit, kjo përbën shkelje të Kushtetutës. Në një letërkëmbim të vitit 2013, Hashim Thaçi e ka siguruar shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fog Rasmussen, se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it”. E Sekretari i tanishëm i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, thotë se kjo marrëveshje është akoma e vlefshme.
Ndjeshmëri dhe sfida
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po ashtu tha se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por brenda mandatit të saj fillestar, pra para vendimit të Kuvendit të Kosovës që me anë të ligjit FSK-në e shndërroi në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
“Kur është marrë vendimi, unë kam thënë se ka qenë i gabuar. NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në brenda mandatit të saj origjinal. Kjo është ajo që ne e mbështesim”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Përkushtim për anëtarësim në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, shkroi se “NATO-ja ka rol vendimtar në lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt, nëpërmjet trupave të KFOR-it”. Ajo tha se KFOR-i po vazhdon trajnimin e FSK-së, e cila procesin e tranzicionit në ushtri, sipas presidentes, po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t`u bërë pjesë e kësaj organizate.
“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, tha presidentja Osmani.
Dialogu me Serbinë
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për kërkesën e vazhdueshme të Prishtinës zyrtare për anëtarësim të Kosovës në NATO, tha se “anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus. Ne kemi nevojë që të gjithë aleatët të bien dakord. Andaj, mënyra e vetme për të arritur anëtarësimin për këdo, është që të gjithë aleatët të bien dakord”. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme që Kosova mund të bëjë tani, është të vazhdojë të angazhohet për dialogun me Serbinë./DW
E-Diaspora
-
Alis nga Eurovisioni: “Një ëndërr që po e jetoj” Përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision 2026 ndau emocione nga ceremonia hapëse “turquoise carpet”... -
Suedi: Arrestohen tre të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit shqiptar -
Kurti: Diaspora dhe bashkëpunimi me Gjermaninë, çelës për zhvillim ekonomik -
Kanada
Nga Kosova në Parlamentin e Kanadasë, një rrëfim suksesi dhe vlerësimi -
Zvicër
“Një gjuhë për dhimbjen”, historia e një familjeje kosovare nominohet për çmimin prestigjioz të gazetarisë në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Zhduket pa gjurmë 26-vjeçarja në Alpet e Bernës, familja në ankth apelon publikisht: “Vazhdoni ta kërkoni Abrarin!” Studentja e mjekësisë u zhduk para 10 ditësh në Alpet e Bernës. Familja e saj lutet:... -
Studimi në Zvicër: Testet e vozitjes për të moshuarit mbi 75 vjeç nuk janë të besueshme -
Pse Zvicra u bë kaq e pasur -
Gratë mbi 50 vjeç po nënvlerësohen në tregun e punës në Zvicër -
Cilët sektorë preken nga iniciativa kundër emigracionit













