Lajme

Struktura monumentale e piramidave dhe madhështia e tyre

Përvoja udhëtimesh - “Shkretëtirë, shkretëtirë, shkretëtirë e pasosur, askund gjelbërim dhe vetëm vapë...”

Mbresa udhëtimesh

 

Egjipti, vend afrikano-aziatik, me popullsi arabe, me shkretëtirën e shtrirë tejpërtej dhe me lumin Nil në mes, që i jep shpirt shtetit, me piramidat e famshme dhe me Luksorin e lashtë, veç të tjerave, paraqet një realitet të veçantë gjeografik, historik dhe kulturor për çdo vizitor.

pixabay

Po në Egjipt kanë dhënë kontributin e tyre politik e shoqëror gjatë historisë edhe personalitete shqiptare, si Mehmet Ali Pasha e mbreti Faruk, e deri te vendosja e Mbretit Zog pas ikjes nga Shqipëria më 1939. Këtu zhvilluan veprimtarinë e tyre përkohësisht edhe disa nga figurat kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si Çajupi, Filip Shiroka, Thimi Mitko, Spiro Dine etj., të cilët nga atje shkruan disa nga krijimet e tyre më të çmuara, si vargjet e Filip Shirokës, për shembull:

Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue…

Sepse:

Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni
n’ato vorre me vajtue…

 

E, duke iu rikujtuar këto vargje, nga vendi ku janë shkruar këtu e gati 100 vjet më parë, s’ka se si të mos ringjallet ndjenja e largësisë gjeografike dhe e ajo e lashtësisë kohore mijëravjeçare, e cila flet edhe sot për fillet e civilizimit, për kulturën organizative të njerëzimit dhe për ngrehinat piramidale dhe ato të tempujve të ndryshëm, të cilat kanë ruajtur madhështinë e tyre dhe zërin tingëllues për të shkuarën dhe të tashmen njerëzore…

Ishim vendosur në një hotel në Hurgada dhe kishim planifikuar që më 24.6.2022 ta vizitonin qytetin e Kajros dhe veçanërisht piramidat. Nga hoteli na vunë në kontakt me një agjenci turistike, me të cilën u morëm vesh që të nesërmen të udhëtonim drejt Kajros. Nuk na u përgjigj oferta e udhëtimit me autobus, kështu që vendosëm të udhëtonim me veturë. Ashtu si ishim marrë vesh, saktësisht në orën 3 arriti taksisti me veturën e tij dhe u nisëm drejt Kajros. Shoferi na tregoi se rrugës do të kishim kontrolle policore dhe se nuk guxon të vozisë më shpejt se 100 km në orë, ngase kështu i kanë rregullat dhe se nëpërmjet GPS-së përcillet çdo lëvizje e veturës. Ishte një djalë 24-vjeçar, i heshtur, por i matur, i cili respektonte vullnetin tonë, duke na u lutur të mos kërkojmë diçka përtej rregullave, sepse do ta dënonin… E ne sidomos na pengonte vozitja e ngadalshme, por u përshtatëm. Rruga zgjati për më shumë se 6 orë, me një ndalesë për një kafe, përveç atyre nëpër postblloqe policore, si masë sigurie e policisë egjiptiane ndaj turistëve.

Ndjenjë e veçantë ishte udhëtimi nëpër shkretëtirë. Askund gjelbërim, në të dy anët e rrugës vetëm shkëmbinj të zhveshur dhe hapësira me rërë, një peizazh i vrazhdë, por sfidues që të zgjonte kureshtjen e brendësisë së saj…

 

pixabay

Po i afroheshim Kajros dhe ajo që më ra në sy ishin hapësira të mëdha, me kilometra të tëra përskaj autostradës, me pajisje që prodhojnë energji të ripërtëritshme nga era. Në anën e djathtë herë-herë dukeshin sipërfaqe të Detit të Kuq, shumë pak vendbanime dhe me t’iu afruar qytetit të Kajros përpara më dolën pamje të tmerrshme urbanistike: shtëpi gjysmë të rrënuara, oborre të çrregullta, pluhur dhe mbeturina gjithandej, një kaos dëshpërues, krahas komplekseve urbanistike moderne që po zgjeroheshin gjithandej…

Shoferi na tregoi se po u afroheshim piramidave dhe sikur donte të na përgatiste me pamjen e tyre nga një largësi jo shumë e madhe. E unë, nga njëra anë sikur të më ziente diçka nga brenda, s’mund të qetësohesha derisa i dalluam majat e piramidave, e nga ana tjetër, pamje zhgënjyese rreth rrugës që po na çonte drejt tyre. A thua, si është mundur në një aks rrugor aq të frekuentuar me turistë të mos i kushtohej rëndësia e duhur mirëmbajtjes së rrugëve dhe ambientit përreth… Në kthesën e fundit të rrugës drejt piramidave një postbllok policor, tepër i dukshëm për syrin e turistit, që të ngjallte ndjenjë pasigurie…

E, tash ndodhesha brenda kompleksit të piramidave dhe sikur nuk po u besoja syve, nuk po ngopesha së vështruari me potencialin e kureshtjes sime, duke u përqendruar sa te pamjet e tyre, sa te faktet që po na i jepte për të ciceroni që na përcillte, duke i ndërlidhur ato që i kisha lexuar me ato që po na i thoshte ai për piramidat. Vërtet struktura monumentale unike në botë, të konceptuara gati pashpjegueshëm mbi një kult udhëheqës…sa frymëzuese, po aq të mistershme, sa antike, po aq aktuale dhe sfiduese.

 

pixabay

U fotografuam në pozicione të ndryshme sipas sugjerimit të përcjellësit tonë, pastaj atij i kërkova që të ndalej në një pikë dhe të na priste, sepse doja që vetë të afrohesha krejt pranë tyre dhe t’i sodisja në qetësi, në mënyrën time, në atë kaos të tmerrshëm që po mbretëronte kudo përreth. Lëvizje të çrregullta, turistë nga gjithë bota dhe sidomos nga vendës profiterë, të cilët nuk respektonin tjetër veçse përvetësimin nga kushdo dhe në çdo mënyrë.

 

pixabay

Po vrojtoja gjithandej, arkitekturën e piramidave, pozicionin e tyre dhe po mundohesha të gjeja një ndërlidhje funksionale mes pozicionit të sfinksit dhe piramidave, si dhe vetë piramidave mes vete, të ndërtuara në një linjë, po kurrsesi të gjeja diçka bindëse… Këtë ndjenjë dyshuese sikur e kishte ndihmuar edhe erozioni i kohës, i cili kishte lënë gjurmë në identitetin e tyre, duke ua zvetënuar vijat dhe shkëlqimin e jashtëm, sidoqoftë madhështia e tyre reflektonte në mendjen njerëzore, se jetë, vlera, kult dhe kujtesë ka pasur që në lashtësi… Ajo që më bëri përshtypje rrënuese është mosdukja e shtetit pranë piramidave: mungonin staza dhe përkufizime funksionale, shenjat orientuese, rregullimi i ambientit rreth tyre dhe zyrtarë që të orientonin apo të përkujdeseshin për ato zhvillime. E pafalshme kjo në një situatë kur turistë nga e gjithë bota po dukeshin aty, e kështu për çdo ditë e në çdo stinë, një defekt i mendësisë egjiptiane dhe mungesë e kulturës organizative, rrënjët e të cilave kishin depërtuar thellë në identitet dhe kurrsesi të mundësonin ndryshimin pozitiv…

Të stërlodhur nga vapa dhe ngarendja rreth tyre, pas më shumë se dy orësh zbritëm në pikën nisëse, ktheva kokën edhe një herë që ta ruaj një pamje gjithëpërfshirëse të tyre, me sfinksin pararojë dhe piramidat në sfond, u magjepsa nga madhështia dhe lashtësia e tyre, për t’u kthyer në ‘bazë’ ku na priste vetura që të ktheheshim drejt Hurgadës. Me ç’ndjenja po largohesha: i lumtur që tashmë kisha realizuar një prej vizitave më të rëndësishme në jetën time, me njohjet që kisha përvetësuar nga afër, me peshën e kohës metafizike, si një dukuri që rrjedh pandërprerë nga një thellësi e pafund në të shkuarën dhe që do të vijojë deri në pafundësi në të ardhmen… Po aq isha i zhgënjyer me kaosin dhe sjelljet e vendasve që s’u interesonte asgjë tjetër veçse përvetësimit gati-gati zhvatës, e palejueshme dhe e pafalshme kjo për një pikë qendrore turistike universialisht dhe globalisht referuese…

pixabay

 

pixabay

 

pixabay

 

Free illustrations of Egypt

Temple Columns Hieroglyphs

 

Free photos of Egypt

Cairo Lamps Bazaar