Lajme

Studenti nga Kosova publikon punimin në revistën “British Journal of Sports Medicine„

"Punimi tregon problematikat shëndetësore që sjellë ngarkesa fizike që e kemi çdo ditë në punë"

Rilind Shala, student i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka publikuar punim në revistën më të ranguar në botë për Fizioterapi dhe Mjekësi Sportive, British Journal of Sports Medicine.

Sipas platforms Scopus, kjo revistë është e para në botë nga 262 të tjera të këtij drejtimi. E publikimi në një revistë të tillë, pa dyshim që është një arritje e lartë shkencore si për Universitetin e Prishtinës, ashtu edhe për vetë Rilindin.

Ani pse ky nuk është punimi i parë, pasi i ka edhe disa punime të tjera shkencore në revista ndërkombëtare, në një intervistë për Albinfo.ch,  22-vjeçari  ka treguar për rëndësinë e punimit të publikuar në “British Journal of Sports Medicine”.

Intervista e plotë:

Albinfo.ch: Si erdhi deri te publikimi i punimit tuaj në revistën “British Journal of Sports Medicine”?

Rilind Shala: Ky punim është rezultat i një pune të gjatë dhe të palodhshme për gjysëm viti me rradhë. Ka kaluar gjithsej në 3 recenzime nga 5 shkencetarë ndërkombëtarë të fushës deri sa është publikuar në formën që është sot. Është punim i parë i këtij lloji që propozon 5 zgjidhje afatgjate për problematikën e ngarkesave dhe lodhjeve fizike që na paraprijnë çdo ditë e më tepër në punën e përditshme.

Albinfo.ch:  A keni publikuar më parë shkrime në revista të tilla apo të ngjashme?

Rilind Shala: Po, deri sot kam gjithsej 5 punime të publikuara në revista ndërkombëtare me impact factor, 1 prezantim në një konferencë ndërkombëtare dhe 1 punim tjetër është poashtu i pranuar me një revistë me impact factor 7.0. Po ashtu jam i vetmi nga ballkani që jam pjesë e ekipit ndërkombëtar për hulumtim të dhimbjes, që përfshin mbi 30 shkencëtarë nga e gjithë bota dhe nga Universitetet më të mira në botë, ku nga ky grup punues do të dalin edhe shumë punime të reja me ndikim të lartë ndërkombëtarë.

Albinfo.ch: Si mund ta përmbledhni  shkurtimisht punimin tuaj të publikuar në British Journal of Sports Medicine?

Rilind Shala: Punimi tregon problematikat shëndetësore që sjell ngarkesa fizike që e kemi çdo ditë në punë. Rrezikshmëria vetem sa vjen e rritet nga ngarkesat në punë, e veçanarisht rreziqet kardiovaskulare dhe muskuloskeletore kanë përhapje të madhe te popullatat e caktuara. Përkundër gjithë këtyre rreziqeve që i prekin gati se gjithë sistemet trupore, deri sot nuk ka pasur literaturë qe propozon zgjidhje për këto probleme. Ky punim është i pari i këtij lloji që prezanton 5 zgjidhje se si të tejkalohen problemet që i hasim çdo ditë nga ngarkesat fizike të punëve të përditshme, dhe si të përmirësohet shëndeti që mos të kemi probleme afatgjate shëndetësore.

Albinfo.ch: Pse duhet ta lexojmë punimin tënd, na trego pak për rëndësinë e tij?

Rilind Shala: Punimi ka rëndesi të veçantë për shumë grupe të popullatave që janë të nënshtruar drejtpërdrejt ngarkesave fizike, si dhe personave që janë të detyruar nga puna të marrin një pozite të caktuar (p.sh puna para kompjuterit). Rëndësia e punimit shfaqet tek shumë profesione të ndryshme në kuptim të aplikimit të propozimeve që janë bërë  në punim, e që ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësim të shëndetit dhe rritjes së jetëgjatësisë.

Albinfo.ch: Cilat janë aspiratat tuaja për të ardhmen?

Rilind Shala: Aspiratat i kam shumë të larta, sepse kërkoj nga vetja shumë më shumë se sa dikush që mund të kërkojë nga vetja. Pres të arrij sa më lart në aspektin profesional, dhe të kontribuoj për vendin tim sa më shumë që puna jonë të jetë pikëqendër në Fizioterapinë dhe mjekësinë botërore.

 

Info: Rilind Shala është 22 vjeç, me prejardhje nga Prizreni. Është student i nivelit të Master-it shkencor, dega – Fizioterapi, Fakulteti i Mjekësisë pranë Universitetit të Prishtinës. Studimet Bachelor i ka përfunduar po në këtë Universitet, me sukses të lartë dhe me notë mesatare të lartë, ku si rezultat i suksesit ka qenë bursist i UP-së dhe bursist i MASHT-it. / Albinfo.ch


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI