Lajme

Studimi amerikan: Vaksina Moderna mbron më mirë se Pfizer/Biontech

Mbrojtja afatgjatë e vaksinës së prodhuar nga kompania farmaceutike Moderna, sipas një studimi amerikan është më e mirë se ajo e Biontech/Pfizer

Sipas një studimi amerikan, vaksina nga kompania farmaceutike Moderna siguron mbrojtje më të mirë afatgjatë kundër rjedhës së rëndë të koronës sesa vaksina nga Biontech / Pfizer.

Studimi i botuar të premten nga Agjencia Amerikane e Shëndetit dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka zbuluar se mbrojtja që siguron vaksina Biontech është ulur ndjeshëm pas katër muajsh, ndërsa me Moderna ajo ka mbetur e qëndrueshme, pothuajse në nivelin e fillimit.

Studiuesit e CDC, për studimin e realizuar kanë ekzaminuar 3,689 raste të pacientëve në spital midis marsit dhe gushtit, trasnmeton albinfo.ch. Gjatë periudhës së studimit, në SHBA ka pasur një rritje masive të infeksioneve me variantin Delta, që është dukshëm më ngjitës. Nga pacientët me rrjedhë të rëndë të sëmundjes me  Covid-19, 12.9 për qind kishin qenë të vaksinuar me Moderna dhe 20 për qind me Biontech.

Të dy vaksinat bazohen në teknologjinë mRNA

Në pacientët që ishin vaksinuar me Moderna, kishte më pak ndikim fakti se sa kohë më parë ishte bërë vaksinimi: Mbrojtja nga vaksinimi ishte 93 për qind në katër muajt e parë dhe 92 për qind më pas, përcjell albinfo.ch. Në rastin e pacientëve me vaksinim Biontech, mbrojtja nga vaksinimi në katër muajt e parë kishte rënë nga 91 për qind, në 77 për qind.

Gjithnjë e më shumë studime po tregojnë se Moderna ka efekt mbrojtës më të mirë afatgjatë sesa Biontech / Pfizer – edhe pse të dy vaksinat bazohen në teknologjinë e re mRNA. Mendohet se kjo lidhet me dozën më të lartë të vaksinës Moderna si dhe kohën më të gjatë të pritjes midis dy dozave. Rezultatet e hulumtimit mund të luajnë një rol në çështjen e vaksinimeve përforcuese (të treta).