Tematike

SVP kritikon shkollat që u dhanë pushim nxënësve për Bajram

Fëmijët e besimit islam në shkollat në Aarburg të Aargaut, ditën e parë të festës së Fitër Bajramit kanë marrë një ditë të lirë. Kjo ka ngjallur reagime nga SVP...

Të martën, kur Parlamenti Kantonal po mbante mbledhjen e tij në Aarau, në Aarburg duhej të zhvillohej “Dita e sportit në shkolla”. Deputetja nga SVP, Nicole Müller-Boder marrë informatën se kjo ditë sporti ishte shtyrë për shkakun se fëmijët e besimit mysliman do ta festonin përfundimin e muajit të agjërimit (Fitër Bajramin), shkruan azonline.ch.

“A është e vërtetë se cikli i lartë i shkollave në Aarburg më 4 qershor, fëmijëve myslimanë ua ka dhënë një ditë të lirë, pa pasur nevojë që për këtë të shpenzojnë atë që quhet “Joker Tag” (ditë e lirë që nxënësit mund ta shfrytëzojnë brenda vitit), ndërkohë që nxënësit e besimeve tjera kanë mbajtur mësimin?“, ka pyetur Müller-Boder  qeverinë e kantonit, në një interpelancë të saj.

Ndërsa drejtoresha e shkollës, Diana Albers duke folur për televizionin Tele M1 i është referuar Ligjit për Shkollat të Kantonit Aargau, transmeton albinfo.ch. “Në ligj thuhet se nxënësve në festat e mëdha fetare u duhet dhënë ditë e lirë nga shkolla. Ndërsa Gjykata Federale e Zvicrës në shumë vendime të saj i ka dhënë rëndësi më të madhe lirisë fetare se sa obligimit shkollor”, ka thënë ajo.

Por Müller-Boder e kundërshton atë duke thënë se “është shumë tragjike nëse shkollat tona duhet të kihen në konsideratë nxënësit myslimanë. Kështu, për mua është arritur kulmi”.

Ndërsa deputeti nga SP, Florian Vock e kundërshton kolegen e tij nga SVP, duke theksuar se rëndësia e festës së Fitër Bajramit ësjhtë e njohur për një pjesë të popullatës, përcjell albinfo.ch. Shkolla mund ta vendosë këtë termin në planin e saj dhe kjo nuk përbën më problem.

Ndërkaq një postim në facebook i bërë nga deputeti i SVP-së në Parlamentin Nacional Andreas Glarner në lidhje me festën e Bajramit por në një tjetër mes, ka bërë jehonë në mediet zvicerane, shkruan albinfo.ch.

Ai ka postuar në fb një tekst të cilin ia ka drejtuar një mësueseje të një shkolle fillore në Cyrih. Ajo, sipas tij u kishte shkruar prindëve të nxënësve myslimanë se fëmijët e tyre mund të mungonin të martën nga shkolla, pa e “djegur” “ditën Joker”, transmeton albinfo.ch. Mjaftonte një email ose SMS si vërtetim.

Fakti se Glarner në versionin e parë të postimit kishte publikuar emrin e plotë dhe numrin e telefonit të mësueses, është kritikuar si ndërhyrje në sferën private. Kështu ai, me kërkesën drejtorisë së shkollës përkatëse ka hequr nga postimi të dhënat personale të mësueses.

Teksti që kishte shkruar Glarner, ishte ky: “Pa fjalë – por ndoshta dikush do të dojë t`i tregojë mësueses se çfarë mendon për një gjë të tillë”.