Kosova

Szijjarto: Padrejtësi e Evropës ndaj Kosovës për viza

Hungaria e ka quajtur të padrejtë qasjen e Evropës ndaj Kosovës, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.

Ministri i Jashtëm i këtij shteti, Peter Szijjarto, ka thënë se BE-ja po e bën këtë padrejtësi me Kosovën, e cila i ka plotësuar 95 kriteret e kërkuara, përcjell albinfo.ch.

Pas takimit me kryediplomatin kosovar Behgjet Pacolli, ai ka siguruar se Hungaria do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën evropiane.

Ai ka folur edhe për procesin e dialogut, për të cilin tha se do ta përkrahin çfarëdo marrëveshje që do ta arrijë Kosova me Serbinë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ndërkaq, ka thënë se Hungaria njihet si shtet që gjithmonë e ka përkrahur Kosovën në të gjitha fushat.

Ndërkohë, me palën hungareze, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka nënshkruar marrëveshje për implementimin e projektit të Sistemit Inteligjent të Transportit. Kryediplomati hungarez ka takuar gjatë ditës edhe Presidentin e Kryeministrin.