Integrimi

Masin forcat kandidatët shqiptarë për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut

Ata që e kanë lëshuar rastin për të votuar me postë, mund ta bëjnë këtë të dielën paradite në vendvotimet në qytetet e tyre përkatëse

Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut që mbahen të dielën, më 12 prill, albinfo.ch risjell në kujtesë të lexuesve kandidatët shqiptarë që marin pjesë në këtë garë. Disa prej tyre janë: Blerim Bunjaku (EVP), Përparim Avdili (FDP) Isak Amzai (SP) etj.

Kantoni i Cyrihut është më i madhi për nga numri i banorëve dhe më i zhvilluari në Zvicër. Po ashtu në këtë kanton konsiderohet se jetojnë më shumë shqiptarë se në secilin kanton tjetër. Këto janë edhe disa arsye plotësuese për të gjithë shiptarët me shtetësi zvicerane të japin votën e tyre

Të gjithë ata që e kanë lëshuar rastin për të votuar me postë, mund ta bëjnë këtë të dielën paradite në vendvotimet në qytetet e tyre përkatëse.

Shkrimi në vazhdim është një përmbledhje lidhur me angazhimin e shqiptarëve në të gjitha nivelet e përfaqësimit Politik në  Zvicër deri më tash.

Edhe pse në numër të konsiderueshëm, komuniteti shqiptar në Zvicër vetëm kohëve të fundit ka filluar të interesohet për skenën politike zvicerane. Janë shumë emra veprimtarësh, intelektualësh, afaristësh dhe personalitete tjera që i`a kanë mësyrë skenës politike zvicerane. Ajo që bën përshtypje tejet pozitive është prania dhe roli i gruas shqiptare në politikë. Shumë femra të dalluara shqiptare janë aktive në politikë dhe institucione zvicerane.

Përfaqësimi i shqiptarëve në politikë është i shpërndarë nëpër disa parti politike dhe nisma tjera. Por gjithë ky përfaqësim deri tani ka arritur deri në nivelet e kantoneve dhe komunave. Ndërsa pretendimet janë që në të ardhmen të synohet edhe politika qendrore si institucionet legjislative dhe ekzekutive.

Aktualisht preferencat politike janë dominante në partitë politike kryesore si: SP Sozialdemokratische Partei der Schweiz (Partia Social-Demokrate), SVP Schweizerische Volkspartei (Partia Popullore Zvicerane), FDP Die Liberalen (Partia Liberale), CVP Christlich Demokratische Volkspartei (Partia Demokristiane), EFP (Partia Popullore Evangeliste) dhe GPS – Grüne Partei der Schweiz (Partia e të Gjelbërve).

Gjenerata e dytë dhe preferencat politike

Partitë politike zvicerane duke parë rëndësinë e votës së komunitetit shqiptar prej tani kanë filluar aktivitetet për të përfituar këtë votë për zgjedhjet nacionale në Zvicër që do të mbahen në vjeshtën e vitit 2015, por edhe për zgjedhjet komunale dhe kantonale që mbahen gjatë këtij viti. Një aktivitetet të tillë më dinamik ka ndërmarrë Partia Socialdemokrate e cila po mobilizohet përmes strukturës së veçantë për emigrantë. Por edhe partitë e tjera si CVP dhe EVP janë aktivizuar në këtë drejtim.

Shumica e komunitetit shqiptar në Zvicër është përfshirë vonë në ndjekjen e zhvillimeve politike. Gjeneratat e vjetra ishin thuajse totalisht jashtë këtij realiteti, duke mos treguar asnjë interesim se çfarë po ndodhë me politikën në Zvicër. Por gjenerata e dytë ka nisur të jetë më aktive. Sigurisht edhe kjo kategori është përfshirë në politikë si shkak i interesimit të partive zvicerane për të përfituar sa më shumë votues. Në dhjetëvjeçarin e fundit rëndësia e votës shqiptare nxiti shumë parti zvicerane të përfshijnë në ofertën dhe listat e tyre edhe kandidatë shqiptarë.

Pritjet për mobilizim dhe participim më të madh

Shqiptarët po organizohen dhe dita ditës janë duke u përqendruar në ndjekjen e politikave institucionale komunale, kantonale dhe federale në Zvicër.

Osman Osmani, i cili radhitet përkrahë Partisë Socialdemokrate, njihet si një ndër shqiptarët e parë të angazhuar në skenën politike dhe sociale në Zvicër. Ai ka qenë i pari që në vitin 2006 është zgjedhur në një parlament kantonal, në atë të Schaffhausen-it. Osmani po ashtu ushtron detyrën e sekretarit politik për migracion në sindikatën UNIA, ndërsa për albinfo.ch shpjegon arsyen e angazhimit të tij.

“Angazhimi im shoqëror dhe politik krahas angazhimit për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe shoqërinë zvicerane, ndër të tjera ka qenë edhe për me afirmu kërkesat dhe aspiratat e shqiptarëve në viset shqiptare. Dua të theksoj se derisa partitë politike zvicerane shqiptarët i konsiderojnë si potencial të madh zgjedhor, kandidatët me prejardhje shqiptare shpesh harrojnë këtë fakt dhe janë shumë pak të angazhuar në organizimin dhe veprimtarinë e shoqatave të komunitetit shqiptar”, theksoi Osman Osmani, ideja e të cilit për krijimin e një seksioni për emigrantët është përfshirë në programin politik të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.

Një politikan i ri premtues është Arbër Bullakaj, këshilltar në komunën e Will-it të kantonit St. Gallen, dhe që së fundi është zgjedhur si nënkryetar i SP-së për këtë kanton. Ai është kandidat i promovuar i kësaj partie për Parlamentin Nacional të Zvicrës. Bullakaj gëzon një mbështetje të gjerë nga personalitete zvicerane dhe shqiptare.

Fuqia femërore në politikë

Ylfete Fanaj është një protagoniste në skenën politike zvicerane. Ajo është femra e parë shqiptare e zgjedhur në një parlament kantonal, gjegjësisht në atë të Lucernit. Fanaj ka kryesuar organizatën e mirënjohur të emigrantëve të gjeneratës së dytë “[email protected] plus”.

Ajo kandidon sërish në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të Lucernit që mbahen më 29 mars.

Lurata Reçi, një strugane e re e integruar në Zvicër ka qenë këshilltare komunale nën emblemën e socialdemokratëve zviceran dhe ka drejtuar kryesinë e SP-së në kantonin e Bernës. Lurata sot i takon FDP-së dhe se ajo thotë se jeton me politikën për t’i përfaqësuar sa më mirë shqiptarët. “Në zgjedhjet e fundit ku kam kandiduar si deputete kam arritur të tuboj 21 mijë vota dhe këto nuk janë pak. Shpresoj se shqiptarët do të jenë më aktiv dhe do të shfrytëzojnë votën e tyre për të votuar çdo kandidat shqiptar në zgjedhjet e ardhshme në Zvicër”, thotë Lurata.

Ndërsa Qëndresa Sadriu është një vajzë e re, e cila vitin e kaluar është zgjedhur këshilltare në komunën e Glatbrugg-ut (Cyrih). Ajo është shumë aktive në asamblenë ku është zgjedhur dhe në rrethin ku jeton.

Së fundi, një aktiviste tjetër e re, Herolinda Avdyli ka dalë me një formë të re, interesante kandidimi: Ajo kandidon për zgjedhjet nacionale të Zvicrës në listën e CVP-së por edhe ne emrin e LDK-së së Zvicrës. Natyrisht, LDK dhe asnjë degë partie e jashtme nuk ka të drejtë kandidimi në sistemin politik të Zvicrës por CVP ka pranuar që edhe emblema e LDK-së të figurojë në pllakatet zgjedhore të saj.

Gentiana Ajrulli është shqiptarja e radhës që ka hyrë në garën zgjedhore. Ajo kandidon për Parlamentin e Kantonit të Lucernit dhe mbron ngjyrat e SP-së, krahas Ylfete Fanajt dhe Kastriot Komanit.

Përgatitet një etapë e re e participimit politik

Blerim Bunjaku ka një përvojë të re në politikë, ai është i angazhuar në komunën e Winterthurit, nga radhët e partisë EVP. Bunjaku shpjegon se falë votave të fituara në zgjedhjet kaluara për asamblenë komunale në Wintethur, sot mban postin e drejtuesit të disa shkollave në disa zona të Winterthurit. “Si anëtar i kryesisë njëherësh jam i angazhuar edhe në organizimin e një plani operativ brenda partisë EVP. Jam njëri ndër ekspertët e partisë për kulturë, rini dhe arsim. Me këtë i japim një promovim vlerave të partisë por edhe vlerave tona kombëtare”, thekson Blerimi.

Zgjedhjet e ardhshme janë sfidë edhe për shumë personalitete të komunitetit shqiptar që do të hyjnë në garën politike. Sa më i madh të jetë numri i tyre, aq më mirë do të krijohen edhe kushtet për një etapë të re të participimit të shqiptarëve në politikat institucionale të Zvicrës.

Në të ardhmen shpresohet rritja e interesimit të shqiptarëve për përfshirje në jetën politike zvicerane, por i tërë ky angazhim do të kishte kuptim më të madh nëse do të kishte fokusim më të fuqishëm në organizimin shoqëror dhe politik të shqiptarëve në Zvicër, për t’i artikuluar më mirë kërkesat dhe preokupimet e tyre.

Disa nga shqiptarët, këshilltarë (deputetë) nëpër komuna dhe kantone:

Ylfete Fanaj, deputete nga SP në Kantonin Lucern (është rizgjedhur);

Zari Xhaferi, deputet nga SP në Kantonin Zug;

Etrit Hassler, (shqiptaro-zviceran) deputet nga SP në Kantonin St. Gallen;

– Ibrahim Zahiri, deputet nga GV në Komunën Glattbrugg-Opfikon (Cyrih);

Qëndresa Sadriu, keshilltare e SP në Komunën Glattbrugg-Opfikon (Cyrih)

Nazmi Rexhepi, këshilltar i SP në Komunën Langnau;

 

Kandidatët e vitit 2011 në zgjedhjet për Parlamentin Nacional të Zvicrës

Në zgjedhjet në nivel federal më 24 tetorit 2011 shqiptarët për herë të parë kanë kandiduar për Parlamentin e Zvicrës dhe edhe pse nuk arritën të sigurojnë asnjë vend, megjithatë ishte hera e parë, që këta shqiptarë i hynë sfidës për parlamentin nacional të Zvicrës. Ata ishin: Lurata Reçi, nga SP në Kantonin e Bernës për Parlamentin Nacional të Zvicrës dhe Bashkim Rexhepi, për Juso (juniorët e SP-PS) nga kantoni i vogël i Obwaladenit; kandidat për Dhomën e kantoneve (Senatin)

Mbi 100 shqiptarë kandiduan nëpër komuna

Mbi 100 kandidatë shqiptarë gjatë disa viteve të fundit kanë konkurruar në zgjedhjet komunale dhe kantonale nëpër Zvicër. Ndër ta janë disa emrat që janë shfaqur nëpër media, por edhe një pjesë e tyre në mungesë të të dhënave nuk janë evidentuar:

Edlira Dedja-Bytyqi, pianistja e njohur shqiptare, docente në Konservatorin e Neuchatelit në vitin 2012 ishte kandidate për SP në Parlamentin e qytetit Neuchatel; Mërgim Gutaj – kandidat në zgjedhjet të vitit 2012 për Parlamentin e Kantonit Argau.

Pastaj, në zgjedhjet për deputet në Parlamentin e qytetit të St. Gallenit në vitin 2012 ishin Zeqir Sadrija për Partinë e Gjelbër, ndërsa në qytetin Wil të kantonit St. Gallen, Franklin Munishi për partinë CVP-PDC dhe Arbër Bullakaj për SP-në (është zgjedhur)

Për Parlamentin e Kantonit St. Gallen nga Partia BDP kanë kandiduar dy shqiptarët Alban Imeri nga Kumanova, student i matematikës në Universitetin ETH të Cyrihut dhe Besim Kauz, 44 vjeçar nga Tetova. Ndërsa për SP pati kandiduar i riu 17 vjeçar Arian Bilali, me prejardhje nga Gostivari. Për këshilltarë të asamblesë së qytetit të Luganos më 14 prill 2013 ka kandiduar i riu shqiptar, Elez Badalli. Kandidatët për SP në komunën Glattbrugg-Opfikon në vitin 2014 ishin: Arina Jakupi, Fatlum Kastrati, Ola Sinani, Qëndresa Sadriu, Shaban Haliti dhe Taulant Faniqi. Ndërsa Ibrahim Zahiri për GV (Gemeindeverein Glattbrugg Opfikon). Janë zgjedhur: Qëndresa Sadriu dhe Ibrahim Zahiri.

Në Kanton Vaud, në nivel komunash kanë të drejtë vote edhe të huajt me vizë C. Në zgjedhjet komunale të 13 marsit 2011 në këtë kanton kanë kandiduar së paku 42 shqiptarë për deputet. Këshilltarë komunalë janë zgjedhur 11 prej tyre.

Janë edhe një numër ish këshilltarësh ose deputetë dhe aktivistë të tjerë politik shqiptarë që vazhdojnë të jenë aktivë në jetën politike e shoqërore, si: Osman Sadiku, ish deputet në Kantonin e Glarusit (SP) në periudhën 2013-2014; Hilmi Gashi, aktivist i Partisë së Gjelbër të Zvicrës, ish kandidat për zgjedhjet komunale e kantonale të Bernës (CO-Drejtues i Unia Berner Oberland dhe i angazhuar në shumë asociacione në Zvicër); Llesh Duhanaj, kryetar i CDK-së (strukturë e kristian-demokratëve zviceranë për kosovarë: Bashkësia Demokristiane Kosovare, brenda CVP); Përparim Abdyli është aktivist i FDP-së, kandidat për zgjedhjet e tanishme kantonale në Cyrih; Shaban Haliti, nga SP është zgjedhur në Këshillin Shkollor në Komunën Glattbrugg afër Cyrihut etj.

Kandidatët aktualë për Parlamentin Nacional

Egzon Zhuta  (FDP)

Herolinda Avdyli (CVP)

Blerim Bunjaku (EVP)

Arbër Bullakaj (SP/PS)

Etrit Hassler (SP/PS)

Bashkim Rexhepi (SP/PS)

Besar Matoshi (SP/PS)


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI