Ukraina

Të moshuarit, më të rrezikuarit nga bombardimet ruse

Lufta në Ukrainë po rëndon më shumë personat e moshës së tretë. Ky është konkluzioni i një raporti të ri nga Amnesty International. Kjo kategori rrezikon të vritet ose të lëndohet dhe është më e prekura nga shpërnguljet, tregon Laura Mills për Euronews.

“Ata po mbeten pas shpesh në zona që janë në shënjestrën e sulmeve ruse. Ndryshe nga kategori të tjera, ata nuk mund të strehohen në streha kundër bombave ose gjetkë, ndaj shpesh strehohen në shtëpitë e tyre, që i vendos ata në rrezik të lartë vdekjeje apo plagosjeje. Kur ata shpërngulen, ata kanë vështirësi në strehim, shpesh jetojnë në varfëri, kanë aftësi të kufizuara, gjë që e bën më të vështirë gjetjen e strehimit për ta”, tha Laura Mills, hulumtuese e Amnesty International.

Thuajse 1/4 e popullsisë së Ukrainës janë mbi 60 vjeç. Zyra e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në OKB thotë se në periudhën shkurt-shtator, kjo kategori moshe përbënte 34% të civilëve të vrarë në luftë.

Amnesty i bën thirrje shteteve të tjera të lehtësojnë evakuimin e personave të moshuar dhe gjithashtu nxit organizatat ndërkombëtare të bashkëpunojnë me autoritetet ukrainase për t’i mbështetur ata financiarisht./Euronews