Integrimi

Të rinjtë dhe familja, në fokus të Marjeta Rosaj-Martinit

“Angazhimi im do të jetë për të rinjtë dhe familjen”, thotë për albinfo.ch Marjeta Rosaj– Martini, kandidate e JCVP për deputete në Kantonin e Lucernit

Është 24 vjeçe, e martuar dhe kandidon për një vend në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, në listën e JCVP (Të rinjtë e CVP/PDC-së). Marjeta, në një intervistë dhënë  albinfo.ch flet për vizionin e saj politik, për prioritetet që ka partia e saj, për dallimet në mes të politikbërjes në Zvicër dhe në Kosovë etj.

Keni pranuar kandidimin për deputete në parlamentin e Lucernit. Pse vendoset të kandidoni?

Ishte një ide shumë spontane. Është shumë e rëndësishme që edhe të rinjtë të merren me politikë, në mënyrë që të mund të ecim edhe më përpara në kantonin e Lucernit. Në fakt unë asnjëherë nuk jam marrë me politikë direkt. Kam qenë vetëm votuese e rregullt në zgjedhje. Mirëpo, sa më shumë duke u pjekur në moshë aq më e rëndësishme më është dukur politika.

Pse keni zgjedhur JCVP për të kandiduar. Cilat janë vlerat që ju kanë afruar më shumë me këtë parti?

Është partia më e afërt me bindjet dhe mendimet e mia. JCVP është parti e të rinjve. Më pëlqen shumë politika për familje, dhe kjo parti e ka familjen në fokus. Po ashtu shumë i rëndësishëm për JCVP është edhe shkollimi. Njerëzimi nuk do të ecë përpara pa të rinj dhe pa shkollim të mirë.
Fatkeqësisht JCVP deri më tash nuk ka asnjë vend në parlamentin e kantonit të Lucernit, por do të mundohemi që kësaj herë të jemi pjesë përbërëse e saj. Partia CVP është partia më e madhe me 39 vende prej 120 sa janë gjithsej.

Në rast se zgjidheni në Parlamentin e Kantonit, në cilat fusha do ta shtrinit angazhimin tuaj politik?

Angazhimi im do të jetë më së pari për të rinjtë. Jam e bindur se ne, rinia mundemi të ndryshojmë shumë gjëra në vendin ku jetojmë. Po ashtu do të merrem edhe me politikën e familjes, sepse familja dhe fëmijët janë gjëja më e vlefshme e një shoqërie.

Sa kandidatë janë nga partia juaj, a ka edhe ndonjë kandidat tjetër me prejardhje të huaj?

Ne jemi pesë kandidatë nga rrethina Sursee, ndërsa në gjithë kantonin Lucern jemi 21 kandidat. Në mesin e tyre kemi edhe dy kandidatë tjerë shqiptarë.

Për çka do të ju votonte një votues në përgjithësi ose një votues me prejardhje të huaj?

Mendoj që do të më votojnë sepse do të mundohem t`i realizoj premtimet gjithmonë në të mirë të popullit dhe në mënyrë sa më humane, veçanërisht për të rinjtë. Mendoj se njerëzit me prejardhje të huaj duhet të më votojnë, sidomos shqiptarët sepse me hyrjen time në parlament unë do të jem zëri i tyre për të gjitha të drejtat e tyre që u takojnë sipas ligjeve zvicerane. Dhe mu për këtë unë pres të votohem shumë nga qytetarët me prejardhje të huaj e natyrisht nga bashkëkombësit e mi shqiptarë.

Mendimi juaj për komunitetin shqiptar në Zvicër?

Mendoj se shqiptarët në Zvicër duhet ende edhe më shumë të integrohen dhe të shkollohen. Duhet t`u tregojmë zviceranëve se ne jemi një popull i civilizuar dhe me kulturë dhe që e meritojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian.

Në Kosovë joshja politike është e madhe sepse politikanët kthehen në pasanikë. Po në Zvicër, çka fiton një politikan nga mandati i tij/saj?

Është normale se edhe në Zvicër politika është punë që paguhet por jo të krijosh pasuri përmes politikës. Kjo është një punë e rangut të dytë të cilën njerëzit e bëjnë vetëm për hobi. Në Kosovë ka nevojë për shumë ndryshime. Është e nevojshme që politikanët të angazhohen më shumë për popullin. Duhet të punojnë që Kosovën ta bëjnë një shtet më të fortë dhe të mendojnë për një të ardhme evropianë.

Kush është Marjeta Rosaj-Martini

Marjeta Rosaj – Martini është e lindur në vitin 1990 në Stubëll të Epërme/ Viti. Në vitin 1993 bashkë më familje largohet nga Kosova për të jetuar në Zvicër, ku deri në vitin 2012 jeton në kanton Fribourg. Aty përfundoi edhe gjimnazin. Pas martesës në vitin 2012 me Simon Rosajn, Marjeta zhvendoset për të jetuar në kantonin e Lucernit. Në vitin 2013 fillon studimet për punëtore  sociale në Olten. Ende është studente ndërkohë punon në një shtëpi që përkujdeset për vajza të reja të cilat kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë të traumatizuar nga dhuna familjare. Por Marjeta ka marrë mbi vete edhe një mision të ri. Ajo është kandidate për deputete nga partia JCVP për kantonin e Lucernit. Për “albinfo.ch”, Marjeta thotë se gjatë mandatit të saj do të fokusohet për të rinjtë dhe familjen.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI