Lajme

Të rinjtë e Kosovës, dëshirojnë të emigrojnë në BE

Të intervistuar në Prishtinë, shumica e të rinjve thanë se arsyeja e largimit nga Kosova po bëhet për shkak të mungesës së perspektivës dhe kushteve jo të mira ekonomike

Shumica e të rinjve të intervistuar në Prishtinë kanë dëshirë të migrojnë në një shtet evropianë pasi që nuk shohin perspektivë në shtetin e tyre, ndërsa ata që studiojnë në Kosovë thonë se studimet i ndjekin falë ndihmës që marrin nga të afërmit e tyre në diasporë.

Megjithatë, mungesa e mjeteve financiare për të studiuar, papunësia, cilësia e dobët e mësimdhënies, liberalizimi i vizave…janë vetëm disa nga problemet që të rinjtë kishin identifikuar përgjatë këtij viti. Në rubrikën “VOX” të REL-it, të rinj të intervistuar, kishin thënë se arsyeja e largimit nga Kosova po bëhet për shkak të mungesës së perspektivës dhe kushteve jo të mira ekonomike e sociale.

Amiri, një djalë i ri nga Prishtina, i cili së shpejti do të përfundonte studimet në Fakultetin Juridik, kishte theksuar se me shumë vështirësi po ia del që t’i kryejë studimet. Ai frikësohej se pas përfundimit të studimeve, nuk do të arrinte të gjente një vend pune.

Kjo ka bërë që Amiri të mendonte vazhdimisht që ta braktiste vendin dhe të gjente një jetë më të mirë diku ne Evropë.

“Kudo, vetëm jashtë Kosovës kisha shkuar. Këtu nuk ka perspektivë. Përfundon fakultetin dhe nuk arrin të gjesh punë. Është bërë njëjtë si për ata që përfundojnë shkollim superior, si për ata që nuk kanë fakultet – të gjithë janë pa punë”, kishte thënë ai.

Ndryshe, sipas rezultateve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në kosovë është rritur nga 30 për qind sa ishte vitin e kaluar në 35,3 për qind këtë vit. Gjatë kësaj periudhe, sipas rezultateve të anketës, është rritur papunësia edhe te të rinjtë (15- 24 vjeç) nga 55 për qind sa ka qenë, në 61 për qind.

Genta Berisha kishte deklaruar se papunësia është problem për të dhe të rinjtë në Kosovë.

“Do të ishte një përparësi shumë e madhe, jo vetëm për mua, po edhe për prindërit e mi, që edhe unë të punoj nga pak, por edhe të studioj në të njëjtën kohë. Do të ishim mësuar shumë për të ardhmen, për sfidat që do të mund t’i kemi më vonë. Problemet që më shumë i kanë të rinjtë janë ato që lidhen me kushtet socio-ekonomike”, ishte shprehur Genta.

Të rinjve në Kosovë, të cilët e kishin të vështirë të siguronin të ardhurat për studime pasi që nuk punonin, në ndihmë iu kishin dalë të afërmit e tyre që jetonin jashtë vendit.

Driton Kurti, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, pati thënë se pa mbështetjen e familjarëve që i jetojnë jashtë vendit, nuk do të mund t’ia dilte të jetonte dhe as të studionte.

“Po, kam në diasporë shumë anëtarë të familjes së ngushtë, kam tre axhallarë atje dhe hallën, shumica janë atje. Mbështetja e tyre është e madhe. Ata financojnë studimet e mia, semestrat, fjetjen ushqimin të gjitha. Duke i pasur parasysh kushtet e rënda ekonomik këtu në Kosovë, ndihma që ata japin për ne, është e madhe. Ndonjëherë ndihem keq që ata shpenzojnë aq shumë për ne, por prapë pa ta nuk do të mundem t’ia dal të jetoj”, kishte treguar Dritoni.

Gjatë vitit 2015, nuk kishin munguar problemet e shumta në Universitetin e Prishtinës. Studentët e këtij Universiteti kishin theksuar si problem qenësor cilësinë e dobët të mësimdhënies dhe kushtet jo të mirë të studimeve.

Brikena Rexhepi, studente në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, vlerëson që institucionet e larta të Kosovës nuk kanë bërë asgjë për të rinjtë dhe rrjedhimisht, besimin në to, ajo e ka të zbehur.

“Jo edhe aq, sepse nuk kanë bërë diçka për ne, nuk ka vende pune. Nuk po shoh që po bëjnë diçka të mirë për ne, për rininë, për vendin tonë, por vetëm për interesa të veta. Unë kështu mendoj”, kishte theksuar Brikena.