Kosova

Të rinjtë kosovarë, të painteresuar për politikë

Shumicën e popullatës së Kosovës e përbëjnë të rinjtë. Atyre u interesojnë shumë zhvillime, por jo në masë të madhe ato politike.

Studentja Alba Hysaj ka thënë se nuk e përcjell politikën, pasi, sipas saj, politika në Kosovë nuk është interesante.

“Nuk është interesante politika në Kosovë, për mendimin tim, sepse krejt dihet se çka do të ndodhë, kush çka është”, thotë ajo.

Kurse një student tjetër, Ngadhënjim Neziri, thotë se është e pashmangshme të mos përcillet politika në Kosovë, sepse, sipas tij, gjithçka sillet rreth politikës.

“Edhe vetë negociatat të cilat po bëhen, edhe vetë statusi ynë si shtet është duke u diskutuar ende në qarqet europiane, kështu që është e pashmangshme si qytetar i Kosovës të mos e përcillësh politikën”, thotë ai.

Ndërsa Albina Lekiqi, po ashtu student, thotë se nuk e ka përcjellë asnjëherë politikën për dy arsye: ka obligime të tjera dhe nuk i pëlqen.

Ngjashëm është shprehur edhe Drin Ferataj.

“Në fakt jo, sepse jam në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, nuk më intereson aq shumë politika, kështu që jo”, thotë ai.

Të tjerë studentë, mosinteresimin për politikë e kanë arsyetuar edhe me mungesë të kohës.

Duke lënë anash politikën, të rinjtë e Kosovës kanë deklaruar se preferojnë të merren me studimet, internet, zbavitje, muzikë apo sport, thotë Radio Evropa e Lirë, përcjell Albinfo.ch.