Lajme

Tetë qytete pritëse do të lejojnë spektatorë për Evropianin e futbollit

Unioni i Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA) ka konfirmuar se deri më tani tetë nga dymbëdhjetë qytetet pritëse të Euro 2020 do t’i zhvillojnë ndeshjet me spektatorë. Katër qytetet e mbetura – Munihu, Roma, Bilbao dhe Dublini, – kanë deri më 19 prill kohë për të vendosur përfundimisht përpara një vendimi nga UEFA.

Kampionati evropian i futbollit u shty me një vit prej pandemisë COVID-19. Ai do të zhvillohet prej 11 qershorit e deri më 11 korrik, teksa 12 qyteteve pritëse u qe vendosur si kohë data 7 prill për të dhënë përgjigje për planet e organizimit.

UEFA kërkon që ndeshjet të jenë me tifozë dhe organizatorët të marrin masat për të minimizuar çdo lloj problemi që vjen si pasojë e pandemisë.

Londra, Glasgou, Dublini, Amsterdami, Kopenhagën, Shën-Pjetërsburgu, Bilbao, Munihu, Budapesti, Bakuja, Roma dhe Bukureshti janë caktuar prej kohësh të jenë qytetet pritëse. Prej tyre qytetet nga Italia, Gjermania, Spanja dhe Republika e Irlandës mbeten ende pa një vendim përfundimtar për tifozët, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Hungaria, Azerbajxhani dhe Rusia kanë planifikuar që në stadiume të lejojnë deri në 50% të kapaciteteve. Gjithashtu do të kenë përjashtime nga masat kufizuese ata që do të kenë bileta për ndeshjet e futbollit, duke mos i vënë spektatorët në karantinë të detyruar.

Vendet e tjera, si Holanda, Rumania, Skocia apo dhe Danimarka, mbeten në dyzim për kapacitetin mes 25-33%.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI