CH-Ballkani

Thaçi pritet me ceremoni nga presidenti Erdogan

Nga rruga para rezidencës presidenciale deri te porta protokollare, Hashim Thaçi u përcoll nga kalorësit, ndërsa në portën kryesore atë e priti presidenti i Shtetit, Erdogan

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është pritur me ceremoni të lartë shtetërore në Ankara nga presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan. Thaçi, nga rruga para rezidencës presidenciale deri te porta protokollare u përcoll nga kalorësit, ndërsa më portën kryesore u prit nga presidenti i Shtetit, ndërsa më pas u intonuan himnet e dy shteteve.

Pas përfundimit të ceremonisë, dy presidentët janë njohur me delegacionet përkatëse dhe më pas ka nisur takimi kokë më kokë dhe ai mes delegacioneve.

Në ceremoni morën pjesë edhe ministri turk i Arsimit İsmet Yılmaz, sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Fahri Kasırga, zëvendëssekretari i përgjithshëm dhe zëdhënësi i Presidencës İbrahim Kalın dhe zyrtarë të tjerë.

Presidenti Turk, Erdogan disa herë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçimn e kishte quajtur “vëlla të vogël”, ndërsa Thaçi Erdoganin “Vëlla të madh”. Kjo dëshmon se marrëdhëniet e Thaçit me presidentin turk janë shumë të mira.

Ndryshe,  presidenti i Kosovës, fillimisht vendosi kurorë lulesh në Mauzoleun e Ataturkut në Ankara ku edhe u nënshkrua në Librin e Kujtimeve.

Në fillim Hashim Thaçi u tjkua ndaras me kryetarin e Parlamentit turk,  İsmail Kahraman, dhe me kryeministrin Binali Yıldırım.

Me kryeparlamentarin Kahraman, presidenti Thaçi ka biseduar për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërparlamentar. Ai tha se Kosova është mirënjohëse që Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, që në ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, İsmail Kahraman, ka thënë se Turqia është dhe do të mbetet mike e Kosovës dhe shtoi se të dy vendet ”duhet të rrisin bashkëpunimin parlamentar”.

Në fund të vizitës në Parlamentin e Republikës së Turqisë, presidenti Thaçi vendosi lule në pjesën e parlamentit të goditur nga predhat në tentim grusht-shtetin të datës 15 korrik 2016.

Në takimin me kryeministrin Binali Yıldırım, presidenti Thaçi ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror. “Vlerësoj partneritetin strategjik mes Kosovës dhe të Turqisë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Yıldırım tha se Turqia do të vazhdojë të promovojë Kosovën në botë dhe e siguroi presidentin Thaçi se do të punojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat.

“Do të vazhdojmë të kërkojmë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Yıldırım.

Presidenti Thaçi shprehu falënderim për përkrahjen e vazhdueshme dhe ftoi që bashkëpunimi  mes dy shteteve të intensifikohet, veçanërisht në sektorin e ekonomisë.

“Investitorët nga Turqia janë ndër më të rëndësishmit”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit po ashtu theksoi se të dy vendet, Kosova dhe Turqia, ballafaqohen me kërcënimin e radikalizmit dhe terrorizmit dhe tha se mekanizmat e sigurisë të dy vendeve “kanë bashkëpunim të shkëlqyer”. “Prandaj, çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë”, përfundoi Thaçi.