Integrimi

Tiranë – Jerusalem: Thesari 66-vjeçar dorëzohet në “tokën” e premtuar

“Vetëm 2 herë kam qarë në jetën time, një herë kur më lindi djali dhe herën tjetër për “Besën e shqiptarit”, janë fjalët e Aron Aladjem, hebreu që zbuloi historinë e prindërve të tij të shpëtuar nga shqiptarët dhe premtimin 66- vjeçar të çuar në destinacion nga shqiptari Rexhep Hoxha.

Filmi “Besa – the promisse” solli para publikut ditën e enjte tematikën e Luftës së Dytë Botërore, ku hebrenjtë po ndiqeshin nga çdo shtet evropian i pushtuar nga nazistët. Fakte të vërteta të asaj kohe dhe dëshmi që të rrëqethin, akte heroike të shqiptarëve të varfër ekonomikisht, por me një p

asuri të paçmueshme vlerash morale mahnitën zviceranët e shumtë që ishin në sallë.

“Kur dikush të troket në derë, ke përgjegjësi dhe detyrime”, ishte përgjigjja e një shqiptari kur u pyet për hebrenjtë që strehuan. Ke dhënë Besën!

Iniciuesi i kësaj historie është Norman Gershman, i cili ka përjetuar urrejtje dhe paragjykime thjesht sepse ishte hebre. Edhe ai urrente. Po, deri sa dëgjoi dhe hulumtoi për këtë realitet të panjohur të një populli shqiptar me shumicë myslimane që shpëtoi një popull të fesë hebrenje. Gershman vendosi t’i paraqesë botës këto dëshmi për të kapërcyer paranojat mbi fetë, por mbi të gjitha t’u bëjë homazh akteve heroike të shqiptarëve. Është Besa shqiptare që kaloi çdo kufi dhe theu çdo paragjykim.

Legjenda e Doruntinës dhe realiteti i Besës që nuk tretet kurrë, por transmetohet si stafetë nga babai te i biri.
Mes shumë dëshmive veçuam historinë e Rexhep Hoxhës dhe babait të tij, Rifatit, që i kishte dhënë besën familjes hebrenje të Nissim Aladjem duke e strehuar në shtëpi për ta mbrojtur nga nazistët. Gjithashtu kishte dhënë besën që do t’i ruante diçka shumë të shtrenjtë dhe t’ia dorëzonte sapo të krijohej mundësia. Rifati vdiq me peng, sepse kishte një premtim për të kryer. Ai nuk u çua dot nga varri si Konstantini për të mbajtur besën e dhënë, por stafetën e mori i biri, Rexhepi: duhet çuar në fund premtimin e babës, një besë e djalit me babain.

66 vjet zgjati ky premtim dhe 15 vjet kërkime për të gjetur Aronin, djalin e Nissimit dhe për t’i dorëzuar atij sendet e të atit. Bëhej fjalë për 3 libra të Tora-s që Nissimi i kishte kujtim nga celebrimi i martesës. Rifati nuk dinte çfarë ishin ato libra, por fakti që Nissimi kishte preferuar t’i merrte me vete duke lënë gjëra të tjera më të rëndësishme për mbijetesën e tyre, kur u arratisën nga Bullgaria, la të kuptojë që kjo përbënte një thesar për familjen Aladjem.

“Besa e shqiptarit është më e shtrenjtë se purteka e arit”

Izolimi i Shqipërisë gjatë komunizmit nuk ia mundësoi Rifatit të çonte në fund Besën e dhënë. Rexhepi i fshehu këto libra për vite me radhë deri pas rënies së sistemit. Për vite me radhë shkonte te varri i babait dhe rikujtonte premtimin që i kishte dhënë. Ideja i vjen të shkojë në Bullgari, Sofje dhe më pas në Vidin për të kërkuar më shumë informacione rreth familjes Aladjem. Prej aty kërkimet e çojnë në Izrael. Rexhepi arrin më në fund të gjejë Aronin, i cili fillimisht s’donte të hapte këtë kapitull të mbyllur të kujtimeve të hidhura. Me ndërmjetësimin e djalit të Aronit, Rexhepi niset për në Jerusalem. 66 vjet besë që Rifati i dha Nissimit dhe Rexhepi të atit. Një ndjenjë e papërshkrueshme e përçon Rexhepin.

I shkon te shtëpia Aronit, i troket në derë dhe dera hapet. Aroni kishte vendosur të hapte derën dhe ditarin e nënës, të cilin s’e kishte hapur kurrë më parë për të mos kujtuar tragjedinë e luftës. Mëson që nëna e tij ia kishte besuar birësinë e Aronit nënës së Rexhepit për ta shpëtuar nga rreziqet e luftës. Është radha e Rexhepit t’i japë Aronit surprizën: librat e Tora-s, thesarin e familjes Aladjem. Ai e lexon shkrimin e të atit, Nissimit, martesën me nënën e tij dhe ditën e lindjes së tij. Një thesar 66-vjeçar që kthehet në vendin e premtuar falë një bese të vonuar, por kurrë të harruar.

Filmi përfundoi, por auditori u duk i mpirë, i “paralizuar”. Të gjithë admironin në heshtje ose të përlotur këto vlera të panjohura kaq në thellësi: pjesën e nënujshme të Iceberg-ut të Besës. Madhështinë e kësaj fjale që shpesh kemi tendencë ta anashkalojmë. Vlerat morale, nderi, përgjegjësia dhe mikpritja, janë pasuria e çdo shqiptari pa dallim feje dhe për më shumë kapërcen çdo barrierë diferencimi fetar apo etnik. Mbi të gjitha është një BESË që ushtrohet pa pasur interes dhe pa pretenduar reciprocitet.