Kosova

Tri opsionet si mund të votojë diaspora në zgjedhjet e përgjithshme: ambasadat, qendra votimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se së shpejti do të jetë për miratim në Qeveri Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme, përmes të cilit mërgata do ta ketë shumë më të lehtë votimin për zgjedhjet në Kosovës.

Kurti tha se ky draftligj i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës kur vjen puna te votimi, shkruan Reporteri.net.

“Komisioni Ad-Hoc i Kuvendit përmbylli punën duke hartuar draftin e ri të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Këtë draft së shpejti do ta kemi për trajtim edhe në Qeveri për të dhënë opinionin dhe komentet tona. Megjithatë sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë. Në esencë ky draftligj i jep fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësi në shprehjen e vullnetit politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.

Kurti shpjegoi edhe procedurat se si mërgimtarët do të votojnë.

“Sipas draft-ligjit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mërgimtarët do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike. Regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet online, ngjashëm si shërbimet që kryhen sot në e Kosova.

”I pari, votimi fizikisht një ditë para zgjedhjeve në njërën prej ambasadave apo konsullatave të Republikës së Kosovës, opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimit me postë brenda vendit ku jetojnë në adresën që e cakton ambasada e Republikës së Kosovës.

E me këtë ambasadat shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve.

Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vende, ku Kosova nuk ka ende ambasadorë ose konsullatë”, tha Kurti

Uroj që ky projektligj të kaloj sa më shpejtë të gjitha procedurat e parapara deri te votimi në Kuvend.

 

 

Fjalimi i plotë:

Megjithatë, sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë.

Në esencë, ky draft ligj i jep fund një padrejtësi të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.

Votuesit nga mërgata në të kaluarën përgjithësisht janë përballur me dy sfida.

Së pari, regjistrimi i tyre ka përfshirë procedura të komplikuara e burokraci. Së dyti, afatet për dërgimin e fletëvotimeve me postë kanë qenë të shkurta, krahas kostos së lartë financiare.

Sipas draft ligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bashkatdhetarët do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike. Regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet Online, ngjashëm si në shembullin e shërbimeve, të cilat kryhen sot në platformën e-Kosova. Ndërsa, për hedhjen e fletëvotimeve, ata do të kenë tri opsione:

I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës;

Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’i kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt; si dhe

Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende.

Mërgata jonë përbën rreth 1/3 të popullsisë së tërësishme të vendit, të cilët të lidhur ngushtë me vendlindjen dhe me një kontribut të madh ekonomik e politik si në të kaluarën, ashtu edhe tani, meritojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes në Kosovë.

Për shkak të barrierave dhe procedurave burokratike, interesimi i tyre për vendlindje ka qenë gjithmonë më i lartë sesa pjesëmarrja në procese zgjedhore. Me ndryshimet sipas draft ligjit të ri, pjesëmarrja në zgjedhje do t’i përgjigjet interesimit dhe vullnetit për qenë pjesë e vendimmarrjes.

Uroj që ky projektligj të kalojë sa më parë të gjitha procedurat e parapara deri në miratimin në Kuvend.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të ndërmarrim të gjitha veprimet  e nevojshme për të përgatitur e përshtatur infrastrukturën në ambasada e në konsullata edhe për këtë shërbim ndaj bashkatdhetarëve tonë.