Lajme

U përplas me kamionin, humb jetën 46-vjeçarja shqiptare në Itali

Në gjendje të rëndë vajza e mitur

Raportohet se një 46-vjeçare shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në Itali një ditë më parë, më 7 prill, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, makina e drejtuar nga Dorina Bardhi është përplasur me një kamion. Si pasojë, Dorina, 46 vjeçe, humbi jetën, ndërsa vajza e saj 9-vjeçare, e cila ndodhej në makinë së bashku me të ëmën, ndodhet në gjendje të rëndë.

Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme.

Makina në të cilën udhëtonin nëna dhe vajza, një Opel Meriva, u përplas kokë më kokë me një kamion. Dinamika e tragjedisë po hetohet ende nga policia.

Makina me të cilën udhëtonte Dorina Bardhi

Dorina la pas burrin dhe tre vajzat e saj.

“Një grua e mrekullueshme,” tha një e njohur, “e përkushtuar ndaj familjes së saj dhe gjithashtu ndaj komunitetit, për të cilin ajo bëri shumë.”

Dorina ishte e njohur, bashkëpunonte me shoqata, me famulli e oratori dhe ishte gjithmonë në ballë, e qeshur dhe entuziaste në organizimin e ahengjeve e eventeve, kushtuar mbi të gjitha fëmijëve.