Lajme
U përurua në Cyrih libri “Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844-1999”
Bashkautorët e librit: Nusret Pllana dhe Agim Aliçkaj, kanë përgëzuar ansamblin "Vatra" të Bylahut për organizimin e përurimit
Në Cyrih të Zvicrës, në organizim të ansamblit “Vatra” u bë përurimi i librit nga autorët Nusret Pllana e Agim Aliçkaj.
Pas intonimit të himnit kombëtar dhe një pike artistike me uniforma të UÇK-së, të luajtur nga ansambli “Vatra” i Bylahut-Cyrihut, moderatori i mbrëmjes, z. Shaban Haliti, fjalën ia kaloi kryetarit të ansamblit “Vatra” , z. Lulzim Krasniqi, i cili falënderoi të pranishmit në sallë, e në veçanti autorët Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, raporton albinfo.ch.
“Nga të rrallët, e mos ndoshta ndër të vetmit, që për 23 vite pas lufte nuk u ndalën në kauzën për publikimin e së vërtetës, jo vetëm të gjenocidit serb mbi shqiptarët në luftën e fundit, por edhe vazhdimësinë mbi 150 vjeçare, jane Nusret Pllana dhe Agim Aliçkaj”, ka thënë veç tjerash z. Krasniqi, duke folur për përkushtimin patriotik të dy bashkautorëve të librit.
“Ky libër është vet historia jonë tejet e dhimbshme e fatit tonë tragjik si popull përgjatë shumë shekujve e posaçërisht gjatë periudhës ku është fokusuar autori, pra periudha mes viteve 1844-1999, periudhë kjo e popullit tone nën terrorin e gjenocidin serb”, ka shtuar ai.
Më pas fjala iu dha bashkautorit të librit të promovuar, Nusret Pllana, i cili përshëndeti të pranishmit në emrin e tij dhe në emër të të gjithë luftëtarëve të lirisë, të të tri luftërave çlirimtare.
Ai falënderoi bashkautorin Agim Aliçkaj si dhe të gjithë ata që kontribuuan në publikimin e këtij libiri, duke adresuar edhe një kontribut të veçantë për të palodhshmin Xhozef Diogardin. Zoti Pllana vlerësoi lart organizimin e këtij përurimi, të cilin e vuri në krye të rreth 180 organizimeve të këtilla në Evropë e Amerikë.
Më tej ai tha se libri është i botuar në disa gjuhë, madje edhe në gjuhën serbe, në mënyrë që edhe populli serb të njoftohet për gjenocidin që ka bërë ushtria e tyre ndaj popullit të pambrojtur shqiptar.
Gjithashtu u shfaq edhe një reportazh i shkurtër televiziv mbi veprimtarinë e z. Pllana për rrugëtimin e informimit nga fronti i luftës, duke informuar nga bunkeri përmes radiovalëve të Radios “Kosova e lirë”, me sloganin: “Ju flet Radio Kosova!”. Me këtë rast falënderoi sponsoruesin Xhavit Lipa, i cili ka marrë përsipër rindërtimin e këtij bunkeri që do të shërbejë si muze i luftës, prej nga u shpërndanë informacione nga frontet e luftës.
Bashkautori Aliçkaj ishte po ashtu i impresionuar me organizimin e këtij përurimi, duke e përgëzuar edhe punën e madhe që ka bërë z. Pllana në grumbullimin dhe ndriçimin faktografik të gjenocidit serb, sidomos duke e përuruar këtë libër gjithandej ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, por që, përmes këtij libri të njoftohen edhe ndërkombëtarët.
Me emocione të shtuara z. Aliçkaj foli për luftëtarët e lirisë të organizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shkruan albinfo.ch. Më tej, ai tha se kërkimin për dënimin e kriminelëve të luftës nuk e sheh si hakmarrje, por si domosdo të funksionimit të drejtësisë, dhe se hegjemonizmi serb ndalet vetëm kur të përballet me forcën.
Gjithashtu bëri të ditur se ideja për ta përgatitur një libër xhepi ishte nga një libër i ngjashëm i vogël “Shpëtimi në Shqipëri” që fliste për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Diskutimi i z. Aliçkaj ishte mjaft emocionues deri në përlotje të të pranishmëve.
Në vazhdim fjalën e mori prof. Fadil Çitaku, i cili tha se ndihet i nderuar që bashkëpunon me z. Pllana e z. Aliçkaj në kuadër të një këshilli intelektual shqiptar për një strategji kombëtare shqiptare. Ai për këtë libër u shpreh se si përmes fakteve dëshmohet gjenocidi serb për rreth dy shekuj me radhë e me strategji të ndryshme vetëm e vetëm për ta eliminuar një komb.
Doktor Sali Sefa, një veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, përgëzoi autorët për këtë libër, por edhe për gjithë kontributin e tyre. Në fjalën e tij theksoi edhe rolin e femrës shqiptare ndër shekuj si qëndrestare drejt arritjes së lirisë, shkruan albinfo.ch. Me këtë rast z. Sefa falënderoi zonjën Shukrije Ramadani, e cila bashkëshortin e saj, Heroin Agim Ramadanin, e mban të gjallë gjithmonë. “Është shumë madhore që një femër t’i rritë tre fëmijë të vegjël e të mitur dhe ta mbajë gjithmonë gjallë shëmbëlltyrën e bashkëshortit të saj, Agim Ramadani”, vlerësoi kontributin e Shukrije Ramadanit, dr. Sali Sefa.
Dr. Sefa falënderoi autorët e librit, sidomos për mbledhjen e faktografive, që për t’i shikuar janë tejet emocionuese, por edhe fakte që flasin pa pasur nevojë të lexohet fare libri. Si i burgosur që ishte, përkujtoi se burgjet e Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë, në vitet 1946 – 1999 ishin vazhdimisht të mbushura me shqiptarë, veprimtarë të çështjes kombëtare. Ai kërkoi nga autoritetet e Kosovës e të Shqipërisë që të ngrejnë një aktakuzë me të cilën do të akuzohej shteti serb për gjenocidin që e ka ushtruar në Kosovë, sepse ky gjenocidi i luftës së fundit nuk është as i pari, i dyti e as i treti, por “po ju them: nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, nuk do të jetë as i fundit”. Shi për këtë, ai kërkoi që shqiptarët të kenë më shumë unitet në veprimet e veta, pa dallim partie.
Në fund dr. Sefa falënderoi edhe ansamblin “Vatra” si dhe të gjitha klubet dhe ansamblet që veprojnë në mërgatë për ruajtjen e traditës dhe të gjuhës amtare në Zvicër e më gjerë.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Shukrije Ramadani në emër të Konsullatës së Kosovës në Cyrih, duke uruar autorët për veprimtarinë e tyre krijuese. Por, zonja Ramadani vuri në pah edhe diçka tjetër, duke thënë: “Sot, këtu po shoh burra dhe gra të moshës rreth dyzetvjeçare, por po mungojnë sot këtu edhe rreth njëqind djem të rinj që do ta kishin këtë moshë, dhe, sonte, sigurisht do të ishin bashkë me ne, sikur të ishin kthyer të gjallë nga lufta e Kosovës. Mbi njëqind djem të rinj lanë Zvicrën e bukur, shkuan për ta çliruar atdheun dhe nuk u kthyen kurrë më. Për më keq, vetëm dy tre emra prej tyre janë të ditur, Agim Ramadani, Agim Bajrami e ndonjë tjetër, por të tjerëve nuk ua dimë emrat, as në Kosovë e as këtu. Ata u lanë në harresë, e në fakt të gjithë ishin të rinj, disa syresh kishin edhe familje të sapokrijuara; i lanë të gjitha të mirat e Zvicrës, e lanë interesin personal, e lanë fitimin që mund ta bënin dhe iu përgjigjën thirrjes së atdheut për çlirimin e Kosovës që ta gëzonin gjeneratat e reja, fëmijët tanë dhe të atyre në Kosovë. Ndërkaq, ne, si shtet i ri, fatkeqësisht, ende nuk kemi arritur as t’i mësojmë emrat e tyre, që të dimë se kush ishin, çfarë bënin, ku ishin, ndërkohë që ne rrahim gjoks se bëmë diçka për Kosovën e lirë!?. Kjo më dhemb”!
Sidoqoftë, zonja Ramadani edhe një herë falënderoi z. Pllana që ka arritur të bëjë një hap të rëndësishëm që dëshmitë t’i shpërfaqë nëpër librat e tij me fotografi e faktografi.
Në fund, në emër të ansamblit “Vatra” të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi veterani i këtij ansambli z. Nexhmedin Isufi, i cili u ndie i privilegjuar që ky libër po promovohet në organizim të kryesisë së ansamblit “Vatra”.
Pas pjesës foljore të autorëve pasoi një program me valle, recitime e këngë i realizuar me përkushtim nga anëtarët e ansamblit “Vatra” nga Bylahu i Cyrihut.
Teksti dhe fotot: Xhevdet Kallaba
E-Diaspora
-
Presidentja Osmani takoi mërgatën në Francë Dje, presidentja Vjosa Osmani takoi mërgatën shqiptare në Francë, përcjell albinfo.ch. Në fjalën e saj, Presidentja...
-
Vjenë: Shqiptarja tregon historinë e saj frymëzuese
-
Berlin: Shija dhe cilësia e produkteve shqiptare u komentua pozitivisht në Festivalin Mbarëkombëtar të Gastronomisë
-
51 kompani nga Kosova u prezantuan në panairin e gastronomisë shqiptare në Berlin
-
Performanca “Boji – In the State of Fire and Miracles”, edhe në gjuhën shqipe
Jeta në Zvicër
-
Hotelet zvicerane, në rrugën e duhur për të shënuar rekord Industria zvicerane e hotelerisë strehoi më shumë mysafirë këtë gusht se sa një vit më parë....
-
Gjenevë: Paga minimale do të rritet vitin e ardhshëm
-
Universitetet zvicerane krijuan një institut të ri të AI
-
Katër lajme që karakterizuan ditën e sotme në Zvicër
-
Si mund të merrni kompensim nëse treni juaj zviceran vonohet ose anulohet?