Lajme
UNHCR: 17 mijë të zhvendosur brenda Kosovës
Po ashtu sipas UNHCR-së, mbi 7 mijë e 600 të tjerë jetojnë jashtë Kosovës, në Mal të Zi e Maqedoni, ndërsa rreth 90 mijë persona janë të zhvendosur në Serbi
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) rikujton autoritetet në Prishtinë se edhe 15 vjet pas luftës, brenda territorit të Kosovës jetojnë rreth 17 mijë persona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Po ashtu sipas UNHCR-së, mbi 7 mijë e 600 të tjerë jetojnë jashtë Kosovës, në Mal të Zi e Maqedoni.
Sipas këtij komisariati, të gjithë këta persona presin të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Ndërsa, siç thuhet në raportin e UNHCR-së publikuar me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, rreth 90 mijë persona të tjerë janë të zhvendosur në Serbi, të cilët mbeten pa zgjidhje të qëndrueshme.
Në Kosovë, është Komuna e Novobërdës e cila organizoi një ngjarje për të shënuar Ditën Botërore të Refugjatëve, me të rinj dhe fëmijë të të gjithë komuniteteve. Gjatë kësaj ngjarje u prezantua një ekspozitë e vizatimeve të fëmijëve.
“Sot, ne kujtojmë gjendjen e vështirë të të gjithë atyre që ishin të shtrënguar të ikin për të shpëtuar jetën e tyre. Mbi 50 milionë njerëz janë refugjatë dhe të zhvendosur. Në Kosovë ne po punojmë së bashku për të siguruar se ata që duan të kthehen në shtëpitë e tyre të mund ta bëjnë këtë në siguri dhe në dinjitet,” tha shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Jo Hegenauer, gjatë takimit të mbajtur në Novobërd.
Në ngjarjen për shënimin e Ditës Botërore të Refugjatëve të organizuar nga kryetari i Komunës së Novobërdës ishte i pranishëm edhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtic.
“Qëllimi ynë është që zhvendosja të marrë fund dhe ata që janë të zhvendosur të kthehen në shtëpi. Ministria për Komunitete dhe Kthim në bashkëpunim me të gjithë partnerët dhe qeverisjet lokale do të vazhdojë të punojë drejt këtij qëllimi. Shumë është bërë deri më tani duke gjetur zgjidhje të qëndrueshme për një numër të konsiderueshëm të njerëzve dhe Ministria do të vijojë të punojë në këtë”, tha ministri Jevtic.
Pengesat më të mëdha për kthim janë mungesa e fondeve për projekte për banim dhe mungesa e alokimit të trojeve për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, të cilët nuk posedojnë pronë.
Shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Jo Hegenauer, theksoi nevojën për të adresuar së bashku këto pengesa.
“Kthimi në Kosovë është përgjegjësi e të gjithë institucioneve të Kosovës dhe jo vetëm e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim”, tha ai.
“Ne të gjithë duhet të bashkojmë përpjekjet tona në avokimin për fonde për kthim të secilit në dy vitet e ardhshme. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është gatishmëria e institucioneve komunale në alokimin e trojeve për të kthyerit, të cilët nuk kanë pronë,” tha shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë.
Ndryshe me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, u tha se në botë aktualisht ka më shumë refugjatë dhe të zhvendosur brenda vendit se sa cilado periudhë që nga Lufta e Dytë Botërore. Numri i refugjatëve, azil kërkuesve, dhe personave të zhvendosur brenda vendit për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore ka kaluar 50 milionë njerëz.
Raporti i Trendit Global i UNHCR-së thotë se 51.2 milionë njerëz janë zhvendosur forcërisht deri në fund të vitit 2013, plot 6 milionë njerëz më shumë se sa 45.2 milionë të raportuar në 2012. Në këtë numër përfshihen 16.7 milionë refugjatë; 1.1 milion njerëz që kanë bërë kërkesë për azil; kurse 33.3 milionë janë persona të zhvendosur brenda vendit.\
Kjo rritje enorme ka ngjarë më së shumti për shkak të luftës në Siri. Zhvendosje e re e madhe ka ndodhur edhe në Afrikë, në Republikën Qendrore Afrikane dhe në Sudanin Jugor.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Magazina albinfo.ch vjen me numrin special, Vera `26 Në fokus të numrit më të ri të revistës Albinfo.ch janë pushimet verore të diasporës, me... -
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 -
“Helvetia Gold”: Modeli shqiptar i suksesit në zemër të Cyrihut -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Masat e jashtëzakonshme nga temperaturat në Zvicër, nga kinematë falas te bllokimi i kantiereve Zvicra po përballet me një valë të re të nxehti ekstrem, me temperatura që pritet të... -
Zvicra me dyshen shqiptare Xhaka-Jashari nga minuta e parë kundër Kolumbisë! -
Reforma e BE-së për të papunët mund t’i kushtojë Zvicrës qindra miliona franga -
Rrezikohen orët e edukatës fizike -
Ku është më mirë të jesh gjatë valëve të të nxehtit në Zvicër?












