Lajme

Vala e të nxehtit në Europë shkakton zjarre

Situatë problematike shkak i zjarreve

Bëhet e ditur se mijëra zjarrfikës po luftojnë me flakët në Portugali, Spanjë dhe Francën jugperëndimore për shkak të një vale të nxehti që nuk po kalon kurrsesi, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se në Portugalinë veriore një pilot humbi jetën kur avioni i tij u rrëzua në zonën Foz Coa, pranë kufirit spanjol, shkruan BBC.

Ndërkohë, zjarret po shkatërrojnë edhe zonat e rajonit Gironde të Francës, ku më shumë se 11,000 njerëz janë evakuuar.

Në Spanjën jugore, pranë Costa del Sol, rreth 2,300 njerëz u detyruan të largoheshin nga zjarri i përhapur në kodrat Mijas.

Pushuesit në plazhin e Torremolinos panë shtëllunga të mëdha tymi që ngriheshin në kodra, ku disa avionë po luftonin zjarrin.

Ndërkohë, një banor vendas i përshkroi zjarret në pyje pranë bregut jugperëndimor të Atlantikut të Francës si ndjesi “post-apokaliptike”.

“Unë nuk i kam parë më parë këto dukuri”, tha Karyn, i cili jeton pranë Teste-de-Buch, për agjencinë e lajmeve AFP.

Zjarri atje dhe një tjetër në jug të Bordeaux kanë shkatërruar rreth 8,000 hektarë pyje.

Që nga e marta temperaturat janë rritur në 47 gradë celsius në Portugali dhe mbi 40 gradë celsius në Spanjë.

Më shumë se 300 njerëz kanë humbur jetën nga të nxehtit në të dy vendet, raporton agjencia spanjolle e lajmeve Efe.

Pikat e nxehta të zjarrit të Portugalisë janë në veri-lindje të qytetit të Portos. Zjarret kanë shkatërruar 30,000 hektarë tokë këtë vit, sipërfaqja më e madhe që nga vera e vitit 2017, kur Portugalia pësoi zjarre shkatërruese, në të cilat vdiqën rreth 100 njerëz.

Pjesë të tjera të Mesdheut janë prekur gjithashtu. Në Itali qeveria ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në Luginën e tharë të lumit Po, i cili është lumi më i gjatë në vend.

Në veri të Marokut disa fshatra duhej të evakuoheshin pasi zjarret përfshinë provincat Larache, Ouezzane, Taza dhe Tetouan. Një fshat u shkatërrua totalisht në Ksar El Kebir.

Franca gjithashtu ka temperatura prej rreth 40 gradë Celsius dhe pritet një rritje javën e ardhshme.

Kreu i federatës së zjarrfikësve të Francës ka paralajmëruar për ndikimin që ngrohja globale ka në mbrojtjen civile. “Janë zjarrfikësit, siguria civile që merren me efektet në baza ditore – dhe këto efekte nuk janë në vitin 2030, ato janë tani”, tha Grégory Allione.