CH-Ballkani

Vargje plot emocion nga poeteshat tona të reja që jetojnë në Zvicër

Të premten, më 13 prill, në ambientet e Qendrës për Kulturë në Cyrih, adhuruesit e fjalës së shkruar patën kënaqësinë të njihen me tri poeteshat tona të reja që jetojnë në Zvicër: Edonë Haliti, Rehana Doko, Fatmire Zenelaj-Sopa.

Mbrëmjen letrare e hapi drejtori i Qendrës, Ridvan Murati, i cili pasi përshëndeti të pranishmit dhe drejtoreshën e Departamentit të Qendrave në Diasporë, zonjën Shyhrete Kastrati, foli mbi qëllimin dhe rëndësinë e këtij projekti të sapofilluar për njohjen, motivimin dhe përkrahjen e krijuesve të rinj, duke u ofruar një bashkëpunim të frytshëm për ide dhe organizime të ndryshme.

Në vazhdim fjalën e mori Miradie Maliqi, e cila është në Kryesinë e Shoqatës së Krijuesve në Zvicër. Vargje plot emocion patëm kënaqësinë të dëgjojmë nga Edonë Haliti, Rehana Doko dhe Fatmire Zenelaj-Sopa. Mbrëmjen e pasuroi edhe kori Lyra me disa këngë të vjetra qytetare, dhe gjithashtu disa vargje i dëgjuam edhe nga krijues që ishin në publik. Pas çasteve dhe atmosferës mbresëlënëse, u shtrua edhe një koktej nga nikoqiri i Qendrës, Ridvan Murati.