Kosova

Vazhdojnë pritjet e qytetarëve para ambasadave për viza

“Unë i kam 3 djem, dy në Austri, një në Gjermani. Dy herë më është refuzuar viza në Austri, e kësaj radhe po shpresoj të shkoj tek djali tjetër në Gjermani. Atje djalit po i thonë se krejt i ke në rregull, po faji është te ambasadat këtu”, thotë një qytetare

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë pritjet e gjata para ambasadave për t’u pajisur me vizë Shëngen.

Mbledhja e shumë dokumenteve dhe pritjet sikur harrohen kur ambasada u jep një të tillë, por dëshpërimi shtohet edhe më tepër kur përgjigjja është thjesht një refuzim, raporton televizioni publik i Kosovës.

Halide Rexhepit nga Lipjani ka dëshirë që t’i vizitojë djemtë e saj që jetojnë në Gjermani e Austri. Por, kjo dëshirë nuk do t’i plotësohet sepse për herë të dytë Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ia refuzoi dhënien e vizës. Tash, ajo shpreson se vizat shpejt do të liberalizohen, përcjell albinfo.ch.

“Unë i kam 3 djem, dy në Austri, një në Gjermani. Dy herë më është refuzuar viza në Austri, e kësaj radhe po shpresoj të shkoj tek djali tjetër në Gjermani. Atje djalit po i thonë se krejt i ke në rregull, po faji është te ambasadat këtu”.

Por, një fat më të mirë ka 76-vjeçarja Naile Rrafshi. Edhe pse sa herë që aplikon për vizë që të vizitojë familjarët në Gjermani, i duhet të kompletojë shumë dokumente, ajo e harron lodhjen, kur Ambasada i jep vizën.

Sidoqoftë, procedura edhe më të vështira duhet të ndjekin qytetarët e tjerë që presin për bashkim familjar.

Përveç pritjeve të gjata për vizë para Ambasadës së Gjermanisë apo atë të Zvicrës, situata dhe procedurat e gjata për pajisje me vizë janë të njëjta edhe tek të tjerat që janë pjesë e zonës Shengen.