Lajme

Vazhdon përhapja e gripit sezonal në Zvicër: fëmijët, më të prekurit

Në javën e pestë, mjekët në 1000 konsultime të bëra, kanë raportuar 37.8 sëmundje të përafërta me gripin

Në Zvicër po vazhdon të përhapet gripi sezonal. Siç tregojnë shifrat e fundit nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG), foshnjat dhe fëmijët deri në moshën 14-vjeçare janë veçanërisht të prekur nga gripi.

Gjatë javës së kaluar është raportuar një mesatare prej mbi 290 infeksionesh për 100,000 banorë, transmeton albinfo.ch. Siç njofton BAG, tendenca po shkon drejt rritjes.

Numri i rasteve të gripit po rritet në shumë rajone. Ndërkaq, prirja mbetet konstante në kantonet si: Aargau, Basel-Landschaft dhe Basel-Stadt, Solothurn dhe në Zvicrën Qendrore.

Vala e gripit ka arritur në pragun e epidemisë në javën e dytë të janarit

Në javën e pestë, mjekët  në 1000 konsultime të bëra, kanë raportuar 37.8 sëmundje të përafërta me gripin, tregojnë shifrat më të fundit nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG).

Prandaj, vala e gripit është ende në rritje: në javën e kaluar kishte 27.2 sëmundje për 1000 këshillime ose 215 sëmundje për 100,000 banorë, përcjell albinfo.ch. Tendenca po rritet. Pragu i epidemisë së 69 rasteve të dyshuara të gripit është arritur në javën e dytë.