Lajme

Vendimi për pensionet, i mirëseardhur apo “shpatë me dy teha”

Duke sjellë vendimin e saj më të ri, Gjykata Administrative Federale ka ngjallur shpresa por dhe ka shkaktuar shumë pyetje dhe dilema ...

Javën e kaluar, Gjykata Federale Administrative e Zvicrës, ka sjellë vendimin sipas të cilit qytetarët e Kosovës që më parë kanë fituar pensionin e invaliditetit dhe që tash jetojnë në Kosovë, kanë të drejtë të marrin pensionet e invaliditetit nga Zvicra. Kjo, edhe përkundër vendimit të marrë vitin e  kaluar nga Qeveria Federale për mos vazhdimin e tyre. Por, vendimi i gjykatës në fjalë, këtë përfitim e lidh me dyshtetësinë “kosovare-serbe” që, sipas saj, kanë qytetarët e Kosovës. Shkas për këtë vendim ka qenë ankesa që ka bërë një qytetar i Kosovës, pensionist i Zvicrës, i goditur nga vendimi i qeverisë.

Duke sjellë vendimin më të ri, Gjykata Administrative ka sfiduar të gjitha palët. Së pari, Enti Federal për Sigurime Shoqërore, përgjegjës për mos vazhdimin nga Zvicra të marrëveshjes për sigurime shoqërore me Kosovën, është gjetur me këtë rast pa përgjigje. Nga ana tjetër, pensionistët me bazë invaliditeti, shtetas të Kosovës, me vendimin e ri shpallen si përfitues të një të drejte që realisht u takon. Por, në të njëjtën kohë ky vendim lë gjithsesi edhe një shije të hidhur. Ai, në një pikë të tij, qytetarët e Kosovës i vë në pozicionin e qytetarëve që “kanë edhe shtetësinë e Serbisë” (citim i vendimit të Gjykatës Administrative Federale). Pyetja që duhet të shtrohet tash është kjo: A duhet t`i gëzohen kosovarët këtij vendimi apo ta shikojnë atë me dyshim?

Ruzhdi Ibrahimi

Ruzhdi Ibrahimi: “Vendimi i gjykatës, është për tu përshëndetur”Ruzhdi Ibrahimi, ish sekretar shumëvjeçar i sindikatës Unia dhe specialist i sigurimeve shoqërore e sheh me optimizëm hapin e fundit të gjykatës zvicerane. Ai, me sqarimin që i bën çështjes, përpiqet të heq mjegullën e krijuar me vendimin e fundit. “Vendimi i Gjykatës Federale Administrative është për t’u përshëndetur. Ky vendim gjyqësor vërteton qëndrimin tonë se vendimi për mos vazhdimin e marrëveshjes marrë nga Qeveria Zvicerane ishte i nxituar dhe i papeshuar mirë dhe se duhet të anulohet.

Shtetasit nga Kosova kanë përjetuar, pa të drejtë, siç vërteton vendimi gjyqësor, një diskriminim gati njëvjeçar në përfitime nga Sigurimet Shoqërore edhe pse i kanë përmbushur detyrimet që dalin si rrjedhojë e skemës së sigurimeve shoqërore. Atyre u është privuar e drejta për  pension në rast të kthimit në vendlindje, çka përbën një trajtim të pabarabartë”, thotë z. Ibrahimi.

Ndërkaq, lidhur me implikimet e mundshme politike që sjell me vete ky vendim, Ibrahimi nuk ka dilema. Ai preferon që të abstragohet aspekti politik i problemit, duke e shikuar atë në thelbin e tij. “Këtë nuk duhet parë nga këndvështrimi i implikimit politik por vetëm nga këndvështrimi i rrjedhës historike gjatë kësaj periudhe në këto troje.

Vendimi bazohet në marrëveshjen e vitit 1962, që ka hyrë në fuqi prej 1 mars 1964 dhe gjyqi merret në rastin konkret me çështjen e përcaktimit të personave që mund të emërtohen me nocionin “jugosllav”. Nga shpërbërja e Jugosllavisë së mbetur del shteti i quajtur Serbia e Mali i Zi e. Pra marrëveshja në fjalë vazhdon të vlejë edhe për këto shtete. Dhe pas shpërbërjes së këtij konstrukti, marrëveshja (nga viti 1962) vlen deri sa të hyjnë në fuqi marrëveshjet e reja me Serbinë e Malin e Zi.

Pra këtu bëhet fjalë për shtetësinë jugosllave, ndërsa pas shpërbërjes së saj, për atë serbe. Në të dy rastet apeluesi në fjalë llogaritet me dyshtetësi, gjegjësish në të dy rastet si shtetas i një shteti me të cilin Zvicra ka një marrëveshje mbi sigurimet shoqërore, çka justifikon realizimin e përfitimeve”, thotë Ruzhdi Ibrahimi.

Shani Zekolli

Shani Zekolli: “një vendim tendencioz  Gjykatës Administrative Federale që mund të ketë pasoja”

Por, ndryshe mendon lidhur me këtë çështje sekretari i Sindikatës ndërprofesionale për punëtorë në Gjenevë, Shani Zekolli.  Ai këmbëngul se “një lajm i tillë nëpër mediet zvicerane dhe ato shqiptare ka qenë i mangët, pasi që, sipas tij “një beneficion i tillë vlen vetëm për ata shtetas kosovarë të cilët posedojnë pasaporta serbe dhe kjo hollësi nuk është publikuar askund”. Sipas tij, “një vendim i tillë i Gjykatës është paksa tendencioz, pasi, për pasojë, shumica e pensionistëve kosovarë do të mundohen të pajisen me dokumente serbe”.

Zekolli ngul këmbë se këtu nuk bëhet fjalë për automatizëm, përmes të cilit shtetasit kosovarë do të përfitonin nga vendimi i gjykatës në fjalë. Ai këtë e ilustron me fjalët se, kosovarit të apostrofuar nga Gjykata Administrative, i është dhënë e drejta për të përfituar pensionin, vetëm pas konstatimit se ai ka pasur, krahas shtetësisë së Kosovës edhe shtetësi të Serbisë. Fundja, shton Zekolli, “cila do të ishte logjika e mos vazhdimit të marrëveshjes së sigurimeve shoqërore vitin e kaluar, nëse kjo do të atakohej kaq thjeshtë, siç u atakua së fundi nga Gjykata Administrative Federale!”

Ndërkaq,specialisti i sigurimeve shoqërore, Ruzhdi Ibrahimi, sqaron më tutje efektet që prodhon vendimi i fundit i Gjykatës Administrative Federale. Ky vendim, sipas tij, ka konstatuar shkelje në vendimin e marrë vitin e kaluar nga Qeveria Zvicerane për mos vazhdimin e dërgimit të pensioneve të invaliditetit në Kosovë. “Sipas vendimit gjyqësor në fjalë, gjatë marrjes së vendimit për mos vazhdimin e marrëveshjes në raport me Kosovën, janë shkelur parimet procedurale në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare duke mos ju përmbajtur afatit të konsultimeve si dhe duke mos i dhënë mundësi palës Kosovare për apelim kundër të këtij vendimi.

Duke u bazuar në nenin 25 të marrëveshjes mbi sigurimet shoqërore, në fuqi nga 1 mars 1962, marrëveshja zgjatë një vit dhe vazhdohet në heshtje nëse njëra palë nuk njofton tre muaj paraprakisht për mos vazhdimin e saj. Pra, duke u nisur nga fakti se njoftimi për mos vazhdimin e saj nga Zvicra është konfirmuar më 18 dhjetor 2009 del se do të duhej të njoftohej në fund të muajit nëntor dhe për pasojë kohëzgjatja e vlefshmërisë së marrëveshjes do të vazhdonte deri më 28.02.2011.

Pra, Qeveria e Zvicrës nuk i është përmbajtur as afatit ligjor. Në anën tjetër vendimet tjera të Gjyqit Federal sjellin në përfundim se në rast të dyshtetësisë favorizohet shtetësia e shtetit me të cilin Zvicra ka marrëveshje mbi sigurimet shoqërore. Pra duke marrë parasysh se gjyqi megjithatë e lë të hapur fjalën përfundimtare mbi ligjshmërinë e marrjes së këtij vendimi, shpreh dyshime të mëdha në ligjërinë e tij, duke u shprehur se për shtetasit e Kosovës marrëveshja faktikisht është ende në fuqi”.

Ibrahimi: Vendimi do të zbatohet por megjithatë duhet filluar negociatat marrëveshje të re mbi sigurimet shoqërore Zvicër-Kosovë

I pyetur se, në rastin kur vendimi i gjykatës administrative do të jetë i formës së prerë, a do të mund të përfitojnë nga ky vendim të gjithë pensionistët të cilët kanë pësuar nga mos vazhdimi i marrjes së pensioneve, Ibrahimi përgjigjet pozitivisht. “Nuk shoh ndonjë pengesë që ky vendim të shpalos veprimin e tij, duke hyrë në fuqi. Enti Federal për Sigurime Shoqërore në Bernë është shprehur se do të shqyrtojë mundësinë e apelimit.

Do të ishte e arsyeshme që vendimi në fjalë të jetë një shkas për reflektim për Qeverinë Zvicerane dhe ajo të anulojë vendimin e marrë më 16 dhjetor 2009 dhe të vazhdojë zbatimin e marrëveshjes së vitit 1962. Në anën tjetër duhet filluar negociatat për marrëveshje të re mbi sigurimet shoqërore Zvicër-Kosovë. Unë jam i bindur thellë se edhe në rast të apelimit nga Enti Federal për Sigurime Shoqërore, Gjykata Federale do të vërtetojë vendimin e kësaj gjykate.

© Rolf Camenzind

Zyra Federale për Sigurime Shoqërore: “aktualisht nuk ndryshon asgjë në punë të të drejtave në këtë fushë”Ndërkaq Zyra Federale për Sigurime Shoqërore, në përgjegjësinë e të cilës bie çështja e pensioneve të invaliditetit, vazhdon të mos ketë një qëndrim lidhur me çështjen. Pyetjes së albinfo.ch për qëndrimin e saj, udhëheqësi për komunikim i kësaj zyre, Rolf Camenzind i jep këtë përgjigje: “Ende nuk mund të marrim një qëndrim lidhur me vendimin e Gjykatës Federale Administrative.

Vendimi në fjalë nuk ka marrë akoma formën e prerë sepse kundër tij mund të paraqitet ankesë në Gjykatën Federale, si instancë më e lartë. Për pasojë, aktualisht nuk ndryshon ende asgjë në punë të të drejtave në këtë fushë. Tash për tash është duke u shqyrtuar çështja nëse do të atakohet vendimi i gjykatës, dhe, në rast se po, atëherë me çfarë argumentesh do të atakohet ai”, është shprehur në përgjigjen e tij me shkrim Rolf Camenzind.