Autotech

Veturat evropiane ‘cenojnë sigurinë’ në Amerikë

Bashkimi Evropian, dhe ekonomia me e fuqishme e tij, Gjermania, deklaruan se do të përgjigjen me të njëjtën monedhe

Departamenti Amerikan i Tregtisë dorëzoi raportin për cenimin e sigurisë kombëtare në mesin e kërcënimeve të Donald Trumpit se mund të vendosë tarifa ndëshkuese doganore për importet e automjeteve nga BE.

Raporti tregon se këto importe rrezikojnë sigurinë amerikane, por nuk ka detaje të mëtejshme.

Dokumenti është në tryezën e Trump që ka tani 90 ditë kohë për të vendosur nëse do t’i rrisë tarifat deri në 25%.

Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme parash- në vitin 2017 SHBA ka importuar makina dhe pjesë këmbimi në vlerë prej 340 miliardë dollarësh, transmeton “TCH”.

Bashkimi Evropian, dhe ekonomia me e fuqishme e tij, Gjermania, deklaruan se do të përgjigjen me të njëjtën monedhe, përcjell albinfo.ch.

Interesi i BE-së është t’i përmirësojë marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ajo do të reagojë nëse presidenti amerikan vendos tarifa ndëshkuese, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian e me të njëjtat tone u shpreh dhe ekzekutivi në Berlin.

Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë Trump. Vetë industria amerikane e automjeteve është shprehur kundër rritjes se tarifave që do të ulnin në masë investimet në këtë degë e sipas disa vlerësimeve, do t’i shtrenjtonin me 1800 dollarë automjetet e prodhuara ne SHBA, sepse të gjitha ato përmbajnë pjesë të importuara.