Lajme
Virusi Mpox rikthehet: çfarë do të thotë kjo?
Virusi mpox (dikur i njohur si “lija e majmunit”) është rikthyer në Zvicër, këtë herë me një variant më ngjitës, duke ngritur sërish shqetësime në shëndetin publik.
Sipas autoriteteve shëndetësore, që nga fillimi i vitit 2026 janë regjistruar rreth 30 raste të mpox në Zvicër. Prej tyre, 16 i përkasin variantit të ri 1B, i cili konsiderohet më ngjitës dhe potencialisht më i rëndë se varianti 2 që qarkullonte më herët në vend.
Ky variant 1B ishte më parë i përhapur kryesisht në disa vende të Afrikës, si Republika Demokratike e Kongos dhe shtetet përreth.
Simptomat dhe rreziku
Simptomat kryesore të mpox përfshijnë skuqje të lëkurës dhe puçrra të ngjashme me lija. Në raste më të rënda, mund të shfaqen dhimbje të forta dhe infeksione sistemike.
Sipas ekspertëve, edhe pse shumica e rasteve janë të lehta, rritja e transmetimit rrit edhe rrezikun për forma më të rënda të sëmundjes.
“Ka arsye për kujdes, por jo për panik,” shpjegon Florent Jouinot, koordinator për Zvicrën frëngjishtfolëse në organizatën Swiss AIDS Help. Ai thekson se mpox ka qarkulluar në nivel të ulët që nga viti 2022, me raste sporadike.
Si përhapet virusi?
Mpox transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë “lëkurë me lëkurë”, përfshirë kontaktin seksual. Për këtë arsye, personat me partnerë të shumtë seksualë janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit, transmeton albinfo.ch.
Sipas ekspertëve, prezervativi nuk ofron mbrojtje të plotë kundër këtij virusi, pasi transmetimi nuk ndodh vetëm përmes lëngjeve trupore, por edhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën e infektuar.
Kush është më i rrezikuar?
Rastet më të shpeshta në Zvicër janë vërejtur te burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, si dhe te personat trans. Megjithatë, infeksioni mund të prekë këdo që është në kontakt të ngushtë me një person të infektuar.
Vaksinimi si mbrojtja kryesore
Ekspertët theksojnë se mënyra më efektive për t’u mbrojtur është vaksinimi kundër lisë (i cili përdoret edhe për mpox).
Personat e vaksinuar më herët në fëmijëri mund të kenë nevojë për një dozë përforcuese, ndërsa ata që nuk janë vaksinuar më parë duhet të marrin dy doza fillestare. Në disa raste rekomandohet edhe një dozë përforcuese pas të paktën dy vjetësh.
Çfarë të bëni nëse jeni ekspozuar?
Nëse një person konfirmon se ka qenë në kontakt me një rast të mpox, rekomandohet vaksinimi pas ekspozimit për të ulur rrezikun e simptomave të rënda.
Në rast simptomash (si puçrra pas kontaktit seksual), këshillohet konsultimi me mjekun dhe shmangia e kontaktit fizik derisa lezionet të shërohen plotësisht. Sëmundja mbetet ngjitëse derisa të bien korja e plagëve.
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Rekord i ri i nxehtësisë në Gjenevë Një temperaturë prej 36 gradë Celsius u regjistrua në Gjenevë-Cointrin duke shënuar 23 qershorin më të... -
Zyrtarja e migracionit lirohet nga akuza: “Shkeljet nuk ishin të natyrës penale” -
Firma Kantonale e IT-së shpërblen me 14.000 franga mbajtjen e punonjësve -
Zvicër: Integrimi i inteligjencës artificiale në biznese po rezulton më i ndërlikuar sesa pritej -
Ku qiramarrësit kursejnë pjesën më të madhe të pagave të tyre









