Lajme

Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën dyditore në Zvicër

U.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën dyditore në Zvicër, ku ka qëndruar me ftesë të Parlamentit Zviceran

Përgjatë kësaj vizite, ajo është takuar me krerët e shtetit zviceran, me të cilët u diskutua bashkëpunimi ndërmjet të të dy shteteve, ndihma në fushën e zhvillimit, identifikimi i fushave të reja në sferën e bashkëpunimit bilateral si dhe projekte konkrete.

Zonja Osmani ka falënderuar për mikpritjen dhe takimet përmbajtësore Presidentin e Këshillit Kombëtar, Andreas Aebi, Presidentin e Senatit Zviceran (Këshillit të Shteteve), Alex Kuprecht,  Zëvendëspresidentin dhe ministrin e punëve të jashtme, Ignazio Cassis, nënkryetaren e parë të Këshillit Nacional të Zvicrës, Irène KÄLIN, Grupin e Miqësisë Kosovë-Zvicër dhe zyrtarë të tjerë shtetëror, thuhet në njoftim zyrtar, përcjell albinfo.ch.

Në takime është diskutuar mundësia për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë nga ana e shtetit zviceran. Autoritetet shtetërore të Zvicrës, kanë shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur rrugën e Kosovës për në BE, sikurse edhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, një numër i madh i të cilave e kanë selinë në Zvicër.

“Sundimi i ligjit, demokratizimi, siguria dhe transparenca e llogaridhënia mbeten objektiva të përbashkëta dhe aleatët tanë do vazhdojnë të jenë pranë nesh në promovimin e tyre ashtu siç kanë qenë edhe deri më tani. Gjersa, në fushën e zhvillimit, theksova që e ardhmja e Kosovës do të orientohet kah investimi në kapital njerëzor e në këtë drejtim bazë e çdo suksesi është investimi në arsim, në të cilin drejtim mora përkushtimin e partnerëve tanë për mbështetje në drejtim të prezantimit të sistemit dual të edukimit në vendin tonë”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.

Në takimet me krerët shtetërorë të Zvicrës, zonja Osmani ka diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në kontekst të të cilit është përmendur dialogu Kosovë-Serbi. U.d. Presidentja ka theksuar se epilogu i këtij dialogu duhet të jetë njohja e ndërsjellë me kufijtë̈ aktual të Republikës së Kosovës.

Është diskutuar edhe mundësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe është paralajmëruar fillimi i një projekti për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e parlamentarizmit.

Gjatë vizitës dyditore në Zvicër, u.d. Presidentja Osmani u takua edhe me grupin e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në parlamentin zviceran, sikurse edhe me mërgatën kosovare.

Ajo ka takuar një grup të mërgimtarëve të cilët po bëjnë karrierë të suksesshme në fushën e politikës dhe sferave të tjera.

“Krenari dhe gëzim të veçantë përjetova gjatë kësaj vizite duke qenë dëshmitare e arritjeve e suksesit të mërgatës tonë. Ata janë ambasadorët tanë më të mirë dhe lidhja jonë më e fortë me shtetin zviceran, si dhe mundësia më e mirë që fjalët e diskutimet t`i kthejmë në projekte konkrete në të mirë të vendit tonë”, ka thënë ndër të tjera zonja Osmani.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch