Kosova

Vjosa Osmani takon ambasadorët e Quint-it

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të enjten një takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it.

Duhet theksuar se vendet e Quint-it përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

Së fundmi, me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, Osmani ka thënë se me ambasadorët e këtyre shteteve ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike.

“Kisha një takim produktiv me ambasadorët e Quint-it për të diskutuar zhvillimet më të fundit politike. I falënderova të gjithë për mbështetjen e vazhdueshme të vendit tonë dhe të gjitha institucioneve tona”, ka deklaruar Osmani.

Takimi i saj me ambsadorët e këtyre vendeve vjen pas njoftimit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për anulim të takimit, të planifikuar më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë takim, të ndërmjetësuar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ishte planifikuar rinisja e dialogut mes këtyre dy vendeve.

Një ditë më parë, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndërprerë udhëtimin e tij në Uashington, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, e ka njoftuar publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila e ngarkon presidentin e Kosovës, Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe të tjerë me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.