Bota

Von der Leyen: BE dhe partnerët duhet t’u japin afganëve mundësi azili

Në rolin e saj të mëparshëm si ministre gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen ishte përgjegjëse për praninë ushtarake të vendit në Afganistan. Si Presidente e Komisionit Evropian ajo tani duhet të merret me pasojat dramatike të vendimit të SHBA-së për t’u tërhequr nga vendi.

Dhe në një intervistë për dpa, politikanja veterane e qendrës së djathtë flet për herë të parë në detaje për zhvillimet e fundit dhe përgatitjet në proces për një krizë të re të mundshme migracioni.

“E gjithë kjo është një tragjedi për popullin e Afganistanit dhe një pengesë serioze për bashkësinë ndërkombëtare. Është një situatë e vështirë, një situatë shumë konfuze, e cila ndryshon çdo orë. Por ne tashmë kemi arritur të evakuojmë personelin e BE-së dhe tani kemi sjellë gjithashtu 160 nga kolegët tanë afganë, përfshirë familjet e tyre, në BE. Ne ende duhet të sjellim më shumë se 200 të tjerë në Evropë. Dua të falënderoj Spanjën mbi të gjitha. Ajo ra dakord të krijojë një qendër për punonjësit afganë të BE-së. Kjo do të ndihmojë me lëshimin e vizave të nevojshme dhe me shpërndarjen e këtyre njerëzve në shtetet e ndryshme anëtare për zhvendosje”.

Ajo është pyetur edhe rreth asaj se si në pranverë, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, dhe politikanë të tjerë evropianë u lutën kundër një tërheqjeje të pakushtëzuar nga Afganistani. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë të gjitha shqetësimet dhe paralajmërimet.

“Baza e mbrojtjes ushtarake është dhe mbetet NATO. Por është e vërtetë që BE dhe shtetet anëtare të saj duhet të kenë mjetet për të përballuar sfidat e botës së sotme. Pandemia Covid-19 na e ka treguar gjithashtu këtë. Ne duhet të mësojmë marrim mësimet tona nga këto kriza. Një nga mësimet është se ne duhet urgjentisht të ecim përpara me Paktin për Migracionin dhe Azilin [paketa e reformës e propozuar nga Komisioni Evropian]. Sepse ky pakt na jep mundësinë të merremi me menaxhimin e kufijve tanë, të vendosim solidaritet midis shteteve anëtare dhe të bashkëpunojmë me vendet e origjinës dhe tranzitit. Autonomia strategjike përfshin gjithmonë bashkëpunimin global”.

Në intervistën për dpa, Von der Leyen ka vlerësuar se është e rëndësishme që të gjitha shtetet e përfshira në misionin në Afganistan të sigurojnë kuota të mjaftueshme për zhvendosje dhe rrugë të sigurta në mënyrë që “ne të marrim ata që kanë nevojë për mbrojtje”.

“Unë po i referohem para së gjithash atyre në Afganistan që janë në rrezik të menjëhershëm, pra gazetarëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut, veçanërisht grave dhe vajzave, të cilët janë në rrezik të lartë për të humbur të gjitha të drejtat në vend… Ne duhet të parandalojmë që njerëzit të mos bien në duart e kontrabandistëve dhe trafikantëve. Sepse kjo i vë afganët që duan të ikin nga konflikti në po aq rrezik. Dhe kjo do të thotë që ne duhet të ofrojmë alternativa – rrugë ligjore, të sigurta që ne organizojmë. Një gjë është shumë e qartë: nuk duhet të presim derisa njerëzit të arrijnë në kufijtë e jashtëm të BE -së. Ne duhet të merremi me situatën paraprakisht”, ka thënë ndër tjerash ajo.