Integrimi

Ylfete Fanaj, një kandidaturë serioze për Parlamentin e Zvicrës

Ylfete Fanaj është në vlugun e fushatës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 20 tetor. Zgjedhja e saj në këtë nivel do të vinte si një hap i natyrshëm për një biografi politike si ajo e Ylfetes

Është politikanja e parë me prejardhje shqiptare e zgjedhur në një asamble komunale dhe pastaj edhe në një parlament kantonal, në Zvicër. Nga viti 2011 është deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, ndërsa në vitin 2007 ishte zgjedhur për herë të parë këshilltare në Asamblenë e qytetit të Lucernit. Me këtë përvojë në politikë, Ylfete Fanaj është një emër me peshë në politikën e kantonit të saj e më gjerë.

Gjatë katër vjetëve të fundit, ajo ka qenë edhe kryetare e Grupit Parlamentar të SP-së në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Ndërsa para pak muajsh, ky parlament e ka zgjedhur atë për nënkryetare. Me zgjedhjen në postin e lartpërmendur, Ylfete Fanaj ka arritur më shumë se cilido politikan me rrënjë shqiptare në politikën zvicerane.

Por ambiciet politike të Fanajt nuk përfundojnë këtu. Ajo është nominuar nga partia e saj si kandidate për deputete në Parlamentin Federal të Zvicrës në zgjedhjet që mbahen më 20 tetor. Zgjedhja në parlament, do të vinte si një hap i natyrshëm për një person me bagazhin politik të Ylfetes.

Të rikujtojmë: Ylfete Fanaj në zgjedhjet e fundit kantonale, ka fituar vota më shumë se të gjithë kandidatët, nga të gjitha partitë, në qytetin e Lucernit. Kështu, me përkrahjen e fituar, “ajo tashmë është konsoliduar si një zë i shquar i një Luzerni kosmopolit e të qytetëruar”, kanë shkruar mediet zvicerane. Ndërsa duke iu referuar shanseve të kandidatëve nga Lucerni për zgjedhjet nacionale që janë në prag, gazeta “Luzerner Zeitung” shkruan më 7.9.19: “Ish shefja e Grupit Parlamentar të SP-së në Parlamentin e Kantonit, Ylfete Fanaj është një pretedente shumë serioze për një vend në Parlamentin Nacional, në rast se partia e saj i fiton dy vende. Në zgjedhjet e vitit 2015 ajo kishte pasur një diferencë të ngushtë prapa kolegut të saj partiak, Roth”.

Por vetë Ylfetja mbetet optimiste e matur. Ajo është e vetëdishme për vështirësitë që e presin në rrugën drejt Parlamentit Nacional prandaj punon parreshtur drejt këtij caku, por pa shumë bujë dhe zhurmë.

Albinfo.ch: Përse duhet t’ ju zgjedhin qytetarët e Kantonit të Lucernit përfaqësuese të tyre në Bernë? Na i numëroni shkurtimisht disa arsye për një gjë të tillë.

Ylfete Fanaj: Parlamenti duhet të jetë një pasqyrim i popullatës. Ai tash nuk është i tillë, gratë dhe migrantët janë të nënpërfaqësuar/a. Prandaj, unë dua t`u jap një zë atyre që nuk e kanë. Kjo është njëra nga arsyet. Pastaj: Zvicra ka një fuqi enorme integruese – por kjo shpesh zhduket, pasi që njerëzit të cilët e kanë bërë vetë rrugën (e integrimit) janë tepër pak të dukshëm! Unë dua ta tregoj këtë.

Albinfo.ch: Një pyetje e pashmangshme për një medie në gjuhën shqipe është kjo: çfarë ka bërë Ylfetja si politikane për shqiptarët, gjegjësisht çfarë do të bëjë për ta si deputete në Parlamentin e Zvicrës?

Ylfete Fanaj: Në aktivitetin tim politik unë nuk bëj politikë etnike ose për një pakicë por një politikë për të gjithë, pasi që nga ligjet mund të jenë të prekur shumë njerëz. Promovimi i të drejtave të barabarta për migrantet dhe migrantët, promovimi i arsimimit cilësor dhe i ofertave të mira shëndetësore – nga të gjitha këto përfitojnë edhe shqiptarët. Por edhe vetë fakti se unë me emrin tim shqiptar do të jem aty, ka rëndësi: duhet të bëhet diçka e vetëkuptuehsme që, pavarësisht nga prejardhja, në Zvicër të jesh i/e përfaqësuar në rë gjitha sferat e jetës.

Në Parlamentin Nacional unë i përfaqësoj në radhë të parë interesat e Zvicrës, unë nuk jam aty përfaqësi shqiptare por një politikane zvicerane. Mirëpo, në politiken e jashtme unë do të angazhohem edhe për vende tjera, mes tjerash edhe për Kosovën. Për shembull, për demokratizimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut atje, etj. Unë do të jem me siguri në kontakt me organizata shqiptare, por gjithnjë do të mbetem e pavarur sa i përket asaj çfarë do të sjell në parlament.

Albinfo.ch: Çfarë fushate zgjedhore keni planifikuar. A do të keni takime të veçanta me komunitetet e huaja dhe me shqiptarët?

Ylfete Fanaj: Kam planifikuar edhe takime të veçanta me shqiptarët dhe me komunitetet tjera të huaja. Nuk preferoj aktivitete masive, kur është fjala për t`iu drejtuar komunitetit shqiptar. Jam e sigurt se bazën për fitore në zgjedhjet kantonale e kam nga votuesit zviceranë. Numrin e mjaftueshëm për fitore e kam pasur prej tyre, ndërsa numrin e votave që më ka bërë të parën në qytetin e Lucernit, mendoj se e kam nga shqiptarët dhe të huajt tjerë. Prandaj, migrantët mund ta bëjnë dallimin, i cili është mëse i rëndësishëm në zgjedhjet nacionale, por jo shumicën e votave.

Sa u përket prioriteteve që do të kem si deputete, për mua gjithmonë rëndësinë më të madhe e ka tema e barazisë, ku bën pjesë barazia gjinore, barazia për njerëzit e hendikepuar, etj. Tema tjetër është ajo për shanset e barabarta në arsim, ndërsa tema e tretë do të ishte përfaqësimi i grupimeve dhe të drejtat e njeriut.

Kush është Ylfete Fanaj

E lindur në Prizren në vitin 1982, Ylfete Fanaj në Zvicër ka ardhur në moshën 9-vjeçare. Këtu ajo ka ndjekur gjithë shkollimin fillor e të mesëm dhe ka mbaruar shkencat sociale me master. Si punëtore sociale ajo ka qenë e angazhuar në çështjet e varshmërisë, të rinjve dhe integrimit.

Për një kohë ka qenë edhe kryetare e organizatës [email protected] në nivel të Zvicrës. Ylfetja është e martuar dhe jeton me familjen e vet ne qytetin e Lucernit.

Si mund ta mbështetni Ylfeten për zgjedhjet:

  • Të gjithë personat me pasaportë zvicerane nga Kantoni i i Lucernit mund të japin në një listë nga 2 vota për Ylfete Fanajn.
  • Dokumentet për zgjedhje i merrni nga 23 shtatori. Nga kjo datë deri më 20 tetor mund të votoni.
  • Ju mund ta mbështetni Ylfete Fanajn edhe duke u sugjeruar të njohurve dhe familjarëve në Kantonion e Lucernit që të votojnë për Ylfeten
  • Për pyetje, kontaktoni:

-> https://www.facebook.com/ylfete.fanaj

-> https://www.instagram.com/ylfetefanaj.ch/

-> https://ylfetefanaj.ch

 

(Foto: Bujar Berisha)