Tematike

“Zgjoi”, një film thellësisht njerëzor dhe i kompletuar artistikisht

Publiku i cili kishte ardhur me numër të madh, me shumicë shqiptare, i dha kësaj mbrëmjeje emocione të forta, në radhë të parë për tematikën e filmit që po shfaqej

Shfaqja e filmit “Zgjoi” mbrëmë, në kinemanë “Corso” të Cyrihut, në kuadër të festivalit ZFF është shndërruar në një spektakël, jo vetëm filmik. Publiku i cili kishte ardhur me numër të madh, me shumicë shqiptare, i dha kësaj mbrëmjeje emocione të forta, në radhë të parë për tematikën e filmit që po shfaqej, të cilën të gjithë e kishin të njohur dhe të afërt.

Prania në këtë projeksion të filmit edhe e Fahrije Hotit, gruas që me guximin e saj ka frymëzuar autorët e filmit, ka ngritur edhe më tepër shkallën e emocioneve të publikut. Fytyra te përlotura mund të shihje gjithandej nëpër sallë…

Vetë filmi “Zgjoi”, përmbush në mënyrë të shkëlqyer parametrat për të qenë një film i suksesshëm. Ai është së pari thellësisht njerëzor dhe vjen si një fryt i pjekur artistik i punës së një ekipi të talentuar dhe të përkushtuar, drejtuar nga regjisorja, Blerta Basholli. Loja e aktorëve, sidomos e protagonistes Yllka Gashi dhe Çun Lajçi është një vlerë e shtuar në godinën përgjithësisht të ngritur me mjeshtri, të filmit “Zgjoi”.

Ky është, me pak fjalë, subjekti i filmit “Hive” (Zgjoi), një bashkëprodhim në mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Fahrija themelon një biznes të vogël dhe fillon me gra të tjera për të prodhuar ajvar specash nga fshati. Por ambicia dhe dëshira e Fahrijes dhe shoqeve të saj për autonomi nuk priten mirë në mjedisin e tyre tradicional. Për më tepër, madje puna e tyre sabotohet dhe ato sulmohen.

Këmbëngulëse, energjike dhe liridashëse, Fahrija lufton pa pushim kundër paragjykimeve të komunitetit të sa. Ajo dëshiron sigurimin e një të ardhmeje për fëmijët e saj dhe të grave, burrat e të cilave po ashtu qenë zhdukur në luftë.

Filmi bazohet në një histori të vërtetë të ndodhur në Krushë të Madhe, në fshatin në të cilin është bërë njëra ndër masakrat më të mëdha të luftës, në Kosovë, shkruan albinfo.ch.

Pas shfaqjes së filmit, në skenë u ngjitën regjisorja, Blerta Basholli, aktoret Yllka Gashi dhe Aurita Agushi, ndërmarrësja Fahrije Hoti, mbi rrëfimin jetësor të të cilës mbështete filmi, dy producentët Agon Uka, Yll Uka etj.

Moderatori i festivalit, duke prezantuar filmin si një rrëfim të fuqishëm për pasojat e luftës në Kosovë, ka intervistuar regjisoren Basholli, aktoren Yllka Gashi dhe frymëzuesen e filmit, zonën Fahrije Hoti.

Blerta Basholli ka folur për rrugën që ka ndjekur filmi deri në rrumbullakimin e tij, që, sipas saj, ka qenë një rrugë me sfida por edhe e bukur. “Unë, si vajzë nga Kosova dhe tani si grua nga Kosova, e kam jetuar kohën e paraluftës dhe të luftës atje. Ka qenë një histori e solidaritetit dhe unitetit mes njerëzve, ka mbizotëruar ndihma e ndërsjellë, sidomos nga diaspora, mikpritja etj. Pas lufte jam njohur me rastin e zonjës Fahrije Hoti dhe kam thënë se rrëfimi i saj jetësor do të jetë subjekt i filmit tim të ardhshëm. Pastaj këtë e kam biseduar edhe me aktoren Yllka Gashi, të cilës ja kam besuar rolin e zonjës Hoti”.

Yllka Gashi po ashtu ka folur për njohjen e saj dhe inspirimin nga fuqia morale e Fahrije Hotit, gruas së fortë nga Krusha e Madhe, shkruan albinfo.ch. Rruga e saj jetësore është tregues jo vetëm për atë si person por edhe për emancipimin, në kushte të rënda, të gruas shqiptare në Kosovë.

Vetë zonja Hoti, të cilës i janë shtruar disa pyetje nga moderatori dhe nga publiku në sallë, ka folur me mirënjohje për të gjithë ata që kanë realizuar këtë film. Ajo ka thënë se gëzohet nëse filmi do të ndikojë në vetëdijesimin dhe pjekurinë e shoqërisë kosovare për barazinë e gruas. Fahrije Hotit i janë shtruar pyetje edhe për familjen e saj, ndërmarrjen që drejton etj. Sipas saj, gjërat kanë rrjedhur mirë, kështu që tani, ndërmarrja e saj ka arritur të punësojë rreth 100 punëtorë ndërsa vajza e saj ka mbaruar studimet dhe djali, është duke studiuar.

Filmi “Zgjoi” ka fituar, veç tjerash tre çmime në Festivalin e njohur Sundance:  Çmimi i auditorit, Çmimi i regjisë, Çmimi i Jurisë së Madhe të Kinemasë Botërore. “Zgjoi” është nominuar nga Kosova për çmimin Oscar.

Në Festivalin e Filmit të Cyrihut (ZFF) ky film shfaqet në programin “Border Lines”. Aty prezantohen filma që trajtojnë situata të skajshme, ekstreme: si çështjet aktuale botërore, të drejtat e njeriut dhe projekte humanitare, tensione territoriale dhe shoqërore, konfliktet midis individit dhe shtetit etj.

Filmi gjatë festivalit ka tri shfaqje. Në dy shfaqjet e para, më 27 dhe 28 shtator do të jenë të pranishme: Regjisorja, Blerta Basholli, aktorja kryesore, Yllka Gashi dhe ndërmarrësja, Fahrije Hoti, historia e së cilës ka shërbyer për realizimin e filmit.

Më 7 tetor fillon edhe shfaqja e rregullt e filmit “Zgjoi” (Hive) në kinematë e Zvicrës. Në dy shfaqjet e para, më 7 dhe 8 tetor do të jenë po ashtu të pranishme protagonistet e tij të përmendura më lartë.

Distributor i filmit në Zvicër është Frenetic Films AG, Zürich.

E hënë, 27 shtator. Ora 21.00. Kino: Corso 2

E martë, 28 Shtator. Ora 18.15. Kino: Cosmos 5

E shtunë, 2 tetor. Ora 15.00 Kino: Korso 2 

Biletat rezervohen në këtë link: 

https://zff.com/de/archiv/84816/#tickets