Integrimi

„Zonja mësuese, a jeni me të vërtetë shqiptare?“

Edhe sot e gjithë ditën vazhdon të më shtrohet kjo pyetje nga nxënësit në oborrin e shkollës, me synimin që të ma bëjnë me dije, plot mburrje, prej nga ata vetë e kanë prejardhjen

 

Lajmi u përhap si vetëtima përmes godinës shkollore.

Në fund të ditës së parë të shkollës, u mblodhën rreth dhjetë nxënës para klasës ku unë jepja mësim. “A jeni me të vërtetë shqiptare?”, më pyesnin ata, ndërkohë që disa syresh më shikonin sikur të isha një specie e paparë ndonjëherë. Pas kësaj vinte natyrshëm pyetja: “Vini nga Kosova apo nga Maqedonia?”.

Edhe sot e gjithë ditën më shtrohet kjo pyetje nga nxënësit në oborrin e shkollës, me synimin për të më treguar plot krenari se prej nga vijnë ata vetë. Prishtina, Mitrovica, Ferizaj, Kumanova, Tetova dhe shumë qytete tjera shqiptare janë të përfaqësuara në shkollën tonë. Afërsisht një e treta e gjithsej 323 nxënësve të shkollës “Gutschick” në Winterthur janë shqipfolës. Një përbërje e cila në të ashtuquajturat shkolla “QUIMS” të Zvicrës gjermane, nuk është diç e rrallë.

Shkolla me mbi 70% nxënës me prejardhje të huaj

“QUIMS” është një shkurtesë për “Kualitet në Shkollat Multikulturore” (Qualität in multikulturellen Schulen”. Këtë status e merr një shkollë kur më shumë se 30 për qind të nxënësve të saj kanë prejardhje të huaj. Në shkollën tonë kuota e

nxënësve me prejardhje të huaj është më shumë se 70%. Për sigurimin e kualitetit në këto shkolla multikulturore, kantoni ofron edhe një kontribut shtesë në formë paushalli. Me këtë program dhe me mbështetjen financiare, mendohet që të sigurohet që edhe në kushtet e vështirësuara të arrihet një nivel i mirë performance, integrimi social dhe barazia e shanseve në arsimim dhe në gjetjen e profesionit. Ne kemi mundësi të ofrojmë edhe oferta jashtëshkollore të cilat janë pa pagesë për nxënësit. Për trupin arsimor, mbështetja financiare konsiston në trajnime specifike në fusha përkatëse tematike. Ne na mundësohet po ashtu që të angazhojmë asistentë, të cilët në klasat veçanërisht të vështira u ofrojnë ndihmë plotësuese arsimtarëve.

Krahas stimulimit të gjuhës, një ndër temat bosht është edhe përfshirja e prindërve të nxënësve. Mirëpo, për shkak të njohurive të mangëta të gjuhës nga ana e tyre, kjo gjë nuk është gjithmonë aq e thjeshtë. Prindërit shqiptarë të nxënësve të mi kanë përparësinë që të mos e kenë këtë problem. Ishte argëtuese se si në fillim ata më flisnin gjermanisht, gjithë kohën deri sa unë nuk u përgjigjesha shqip. Në shkollën tonë, më në fund nuk ka ndalesë të gjuhëve të huaja!

Edhe mbledhjet me prindër mund të zhvillohen në gjuhën shqipe

Takimet (mbledhjet) me prindër në të cilat unë përpiqem që të folmen time tetovare ta lakoj në atë kosovare, dhe të fus pak aty edhe gjuhë standarde shqipe, në mënyrë që e gjitha të tingëllojë paksa më e avancuar, prodhojnë një përzierje të padefinueshme gjuhe. Por kryesorja ështe që ne të kuptohemi mes vete. Prejardhja ime shqiptare ka ndikimin e saj edhe në përcaktimet e nxënëseve të mia për profesionin e tyre kur të rriten. Ato tash dëshirojnë të bëhen mësuese. Ose avokate.

Pavarësisht se çfarë profesionesh synojnë nxënësit tanë, detyra e mësuesve është që t`i mbështesin ata për t`u përforcuar në ndjekjen e synimeve të tyre, pa marrë prasysh se çfarë shtrese sociale ose grupi etnik ata i takojnë. Kjo gjë vlen sidomos në një shkollë me një larushi kaq të madhe kulturore. Kush punon në këtë shkollë, duhet të ketë patjetër respekt të madh për kulturat e ndryshme, religjionet dhe mënyrat e jetesës. Në shkollën tonë, nxënësit nuk ndahen sipas nacionalitetit. Unë në klasën time kam 22 nxënës. Janë 22 fëmijë me personalitete, me interesa dhe me aftësi të ndryshme, të cilët unë dëshiroj t`i nxis në mënyrë sa më individuale që të jetë e mundur.

Megjithatë, nuk mud ta mohoj se, pasi kam marrë listën e re të nxënësve të klasës sime, kam kërkuar emrat shqiptarë në të. Dhe, po, ma ngroh disponimin kur dëgjoj ndonjërin nga fëmijët që herët në mëngjes të më thërrasë në oborrin e shkollës: “Mirëmëngjesi zonja Ljutvija” (shqip).

 

„Mirëmëngjesi Frau Ljutvija”

Megjithatë, nuk mund ta mohoj se pasi kam marrë listën e re të nxënësve të klases sime, kam kërkuar në të emrat shqiptarë. Dhe, po, ma ngroh disponimin kur dëgjoj ndonjërin ga fëmijët që herët në mëngjes të më thërrasë në oborrin e shkollës: “Mirëmëngjesi zonja Ljutvija” (shqip)

 

 

Fotot: E. L.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI