Tematike

Zvicër: Mjekët fitojnë miliona, invalidët i shpallin të aftë për punë!

Kritikët e kësaj praktike thonë se mjekët në fjalë japin tepër rrallë mendim pozitiv për lejimin e pensioneve të invaliditetit dhe rrjedhimisht, shumë persona me paaftësi të vërtetë për punë, pësojnë padrejtësisht

Zyrat që vendosin për pensionet e invaliditetit (IV) në Zvicër, 73% të autorizimeve për ekspertiza mjekësore ua japin vetëm 10% të mjekëve. Këta mjekë të privilegjuar në këtë mënyrë fitojnë shpesh miliona franga, shkruan gazeta Sonntagsblick.

Kritikët e kësaj praktike thonë se mjekët në fjalë japin tepër rrallë mendim pozitiv për lejimin e pensioneve të invaliditetit dhe rrjedhimisht, shumë persona me paaftësi të vërtetë për punë pësojnë padrejtësisht.

Këtë konstatim e ka nxjerrë gazeta në fjalë, duke u mbështetur në një pasqyrë të marrë nga Zyra Federale për Sigurim Social (BSV). Vlerësimi i shifrave të nxjerra nga ky dokumentacion nxjerr në pah se ekspertizat e realizuara janë jashtëzakonisht të njëanshme, shkruan gazeta.

Kështu, në vitin 2018 qendrat në fjalë kanë paguar 683 mjekë dhe klinika për realizimimin e ekspertizave të ashtuquajtura monodisplinare për konstatimin e invaliditetit. Gjithsej ato kanë paguar 29.5 milionë franga për bërjen e këtyre ekspertizave, transmeton albinfo.ch. Por, në këtë vëllim pune, vetëm 10% të mjekëve kanë kryer rreth 73% të të gjitha ekspertizave. Një mjek nga Berna në këtë mënyrë ka fituar rreth 3.2 milionë franga nga viti 2012 deri tani. Dy të tjerë kanë fituar nga 1.9 milion franga për periudhën e njëjtë.

Kritikët thonë se pikërisht këta mjekë janë ata që veçanërisht shpesh kanë vlerësuar në ekspertizat e tyre (pa)aftësinë e pacientëve sipas dëshirës së qendrave IV. Ose më qartë: ata kanë qenë së tepërmi rigorozë në dhënien e pëlqimit për ndarjen e pensioneve të invaliditetit për personat që kanë kërkuar një gjë të tillë.

Kritikët në fjalë e argumentojnë këtë me shifra. Kështu, për shembull, njëri nga mjekët në vitin 2018 ka konstatuar paaftësi për punë vetëm në një nga katër persona, transmeton albinfo.ch. Kolegët e tij këtë vlerësim e kishin dhënë në çdo të dytin rast. Ndërsa një mjek tjetër madje vetëm në çdo të dhjetin rast kishte atestuar paaftësi për punë në shkallën prej mbi 40%

Por BSW e kundërshton këtë prezantim. Sipas saj, shifrat e përmendura në artikullin në fjalë nuk mjaftojnë për të bërë një vlerësim të argumentuar profesionalisht të epspertëve. Sipas saj, autorëve të ekspertizave për IV gjithmonë u mundësohet puna dhe vlerësimi i pavarur.

Se vlerësime tendencioze megjithatë kanë ndodhur, tregon edhe ky rrëfim që sjell gazeta. Rasti ka pasur përfundim tragjik dhe ai i ka ndodhur 38-vjeçares Verena Meier*. Ajo punonte si infermiere dhe vuante nga depresioni, transmeton albinfo.ch. Pas 3 javësh terapi, Verena sërish i kthehet punës, por duke vazhduar trajtimin psikiatrik. Terapeuti i saj konstaton se ajo vuan nga “mendime latente për të bërë vetëvrasje”. Një mjek i dytë e shpall atë të paaftë për punë ndërsa mjeku i tretë, ia atestoi paaftësinë për punë në shkallën 100%, nga shkaqe psikike.

Meier kështu e lë punën dhe aplikon për pension invaliditeti. Qendra për IV në Kantonin e Cyrihut e autorizon mjekun Dr. K. nga Berna për të bërë një ekspertizë eksterne (të jashtme). Diagnoza e tij e shpall 38-vjeçaren si 100 për qind të aftë për punë, transmeton albinfo.ch. Duke u bazuar mbi këtë konstatim, IV hedh poshtë kërkesën e saj për pension invaliditeti.

Një vit e gjysmë më vonë,  më 27 shtator 2010, Verena Meier bën vetëvrasje. Në verën e vitit pasues, mjeku K. ishte lutur të bënte një raport shtesë lidhur me rastin. Dhe ai vazhdon t`i qëndrojë diagnozës së bërë më parë. Sipas tij, e ndjera nuk ka qenë as e sëmurë psikikisht dhe as e paaftë për punë.

Dr. K., ka namin e keq në mesin e juristëve për faktin se i shpall si të shëndetshëm pothuaj të gjithë pacientët. Avokati i sigurimeve Rainer Deecke thotë: “Nuk njoh asnjë avokat që të ketë parë ndonjë ekspertizë të dr. K, në të cilën ai do t`i ketë atestuar paaftësinë për punë ndonjë pacienti. Dhe, përkundër kësaj, ose pikërisht për këtë, Dr. K. është më i kërkuar se kurë si mjek ekspertuizash për IV, transmeton albinfo.ch. Vetëm gjatë vitit 2018 ai ka fituar nga qendrat kantonale të IV 334.000 franga.