Lajme

Zvicër: Shumica e kantoneve ndalojnë ndezjen e zjarreve në dhe pranë pyjeve

Nxehtësia e vazhdueshme dhe thatësia e madhe kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve, duke detyruar autoritetet të vendosin masa kufizuese në pjesën më të madhe të vendit.

Shumica e kantoneve në Zvicër kanë vendosur ndalim për ndezjen e zjarreve në dhe pranë pyjeve, për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret që është shkaktuar nga vala e të nxehtit dhe mungesa e reshjeve, përcjell albinfo.ch.

Autoritetet kanë bërë të ditur se në disa rajone të kantonit të Valais-it dhe në Luginën e Rinit pranë Chur-it është shpallur niveli më i lartë i rrezikut nga zjarret. Si pasojë, ndezja e zjarreve në natyrë është ndaluar plotësisht në këto zona, si edhe në shumë kantone të tjera.

Ndërkohë, vetëm në disa pjesë të Zvicrës Qendrore – përkatësisht në kantonet Obwalden, Nidwalden, Schwyz dhe Zug, si dhe në disa zona të kantoneve Bernë dhe Vaud – lejohet ende ndezja e zjarreve, por vetëm në vendet e caktuara dhe të autorizuara për këtë qëllim.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve dhe vizitorëve të respektojnë ndalimet dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë aktiviteteve në natyrë, pasi kushtet aktuale favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve. /Albinfo.ch