Zhvillim

Zvicerani gërmon në thesarin e pazbuluar arkeologjik të Shqipërisë

Ka shëtitur prej një cepi në cepin tjetër të Shqipërisë, jo për të eksploruar bukuritë turistike që ka vendi, por për të gërmuar më thellë në të kaluarën arkeologjike shqiptare.

Bëhet fjalë për arkeologun dhe njohësin e Shqipërisë, Christian Zindel, i cili ka prezantuar të premten në Cyrih një guidë të re arkeologjike për Shqipërinë – Making-of, në organizim të Shoqatës Shqipëri-Zvicër.

Bashkautori Zindel e ka quajtur projektin si parapremierë, ngase ende nuk është shtypur si libër. Tre autorët e kësaj guide janë të huaj, përveç njërit që është nga Shqipëria.

Në këtë promovim, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni dhe konsulli kosovar në Cyrih, Islam Spahiu, arkeologu i njohur zviceran ka treguar për konceptet, qëndrimet dhe debatet në mes të autorëve, që i kanë paraprirë shkrimit të projektit.

“Kemi biseduar për etnogjenezën ndërmjet ilirëve dhe shqiptarëve, për ideologjitë e komunizmit, ngase gjithçka ka qenë politike”, tregon zvicerani për autorët, të cilët janë ekspertë të shquar dhe njohës të Shqipërisë.

Kështu, ata prezantojnë, në mënyrë objektive dhe pa falsifikime ideologjike një vështrim të thelluar të vendeve e monumenteve më të rëndësishme dhe më pak të njohura të Shqipërisë, që nga Koha e Gurit e deri në vitin 1912.

Zindel ka prezantuar pamje që nga pikturat në shkëmbinj nga parahistoria, deri te fotografitë nga Fototeka Marubi në shekullin 19, duke sjellë për secilën fakte interesante të padëgjuara deri më tani.

Duke shëtitur nëpër fotografi, ai ka treguar për jetën e organizuar që kanë pasur ilirët, për lëvizjet e tyre dhe sidomos për Butrintin, parkun arkeologjik të Shqipërisë, se si u krijua dhe si mbijetoi në shekuj. Zinder ka folur edhe për fenomenet natyrore që kanë ndryshuar monumentet në periudha të ndryshme kohore.

Gërmimet arkeologjike të zviceranëve në Butrint, që do të dokumentohen edhe në një libër, i ka mbështetur DEZA, Ambasada e Zvicrës në Tiranë, Ambasada e Austrisë në Tiranë si dhe një shoqatë shqiptaro-austriake.

Zinder pastaj ka folur për zbulimet arkeologjike në Sarandë. Ai thotë se Saranda ka qenë shumë më e madhe, por që është dëmtuar për shkak të dridhjeve të shpeshta të tokës.

Pastaj ndalet në Gjirokastër, duke treguar për kalatë e ndërtuara nga Ail Pasha, pastaj për burgjet e komunizmit dhe për kohën e shpalljes së pavarësisë në vitin 1912. Edhe Berati ka zgjuar kureshtjen e arkeologut, zviceranit Zindel, në periudhën ilire po edhe në kohën e osmanlinjve.

Për Muzeun Onufri tha të kishin vështirësi për të gjetur literaturë në gjuhën gjermane, po edhe angleze. «Onufri është një nga ikonat më të rëndësishme dhe pikturat e shekullit të 16-të», thotë Zindel.

Duke iu referuar ikonave të Onufrit në Berat, Zindel është ndalur edhe në fenomenin që ai e ka vënë re në Shqipëri, të injorimit për një kohë të gjatë të monumenteve kulturore me karakter fetar, si të krishtere, ashtu dhe ato islame.

«Në Shqipëri janë kultivuar dhe ruajtur, konservuar monumentet arkeologjike ilire, romake e greke, por është hezituar që po kjo të bëhet për ato me karakter fetar. Ai ka nënvizuar edhe dukurinë që, sipas tij, shqiptarët sikur e injorojnë një pjesë të historisë së tyre. Kjo pastaj krijon probleme me identitetin, ndërsa do të ishte më mirë që historia të shikohet ashtu si ka ndodhur dhe pastaj të mund të jetohet në paqe me veten dhe me historinë», thotë Zindel.

Ndërsa tregon se kanë shkruar në librin e tyre edhe për Apoloninë, që është një qyteti antik në Shqipëri, ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera. Zvicerani tha se ishin konkurruar nga arkeologët francezë, italianë dhe gjermanë që kishin gërmuar më herët.

Për gërmime nëpër disa zona ushtarake arkeologu zviceran me ekipin e tij ishte dashur të pajiset me leje speciale nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare.

Christian ZINDEL, arkeolog i njohur, nga viti 1986-2000 ishte ligjërues i historisë së arkitekturës së antikitetit në ETH Cyrih, ndërsa ka udhëhequr udhëtime të shumta studimore në të gjithë rajonin e Mesdheut. Ai kishte udhëhequr nga 1999-2003 Departamentin e Jashtëm për projektet kulturore të Pro Helvetia / SDC në Tiranë, ndërsa nga viti 2008 ishte marrë me gërmime në Orikos (Shqipëri), në bashkëpunim me Universitetin e Gjenevës.