Lajme

Zvicra bën hapin e madh të zbutjes: Pa maska në ambientet e jashtme dhe në punë

Nga e shtuna, nuk do të ketë më detyrim për vënie të maskës në ambiente të jashtme, në punë dhe në shkolla të nivelit sekondar

Nga e shtuna hiqet detyrimi për maskë në zona të jashtme të ambienteve me qasje për publikun, në aktivitete të kohës së lirë dhe tarraca të restoranteve. Kështu ka vendosur Këshilli Federal i Zvicrës në mbledhjen e mbajtur sot, që ishte paralajmëruar nga java e kaluar.

Në transportin publik, si hapësira të jashtme konsiderohen të gjitha vendet  që kanë hapje të mëdha në të paktën dy anët (p.sh. platforma të hapura të stacioneve të trenit etj. Detyrimi për mbajtje të maskës hiqet gjithashtu në vendet e punës, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, BAG ende rekomandon mbajtjen e maskës kudo ku nuk mund të mbahet distanca prej 1.5 metrash.

Po ashtu, tani, detyrimi i deritashëm për të punuar nga shtëpia (HomeOffice) zëvendësohet me rekomandimin për një gjë të tillë: Punëdhënësit nuk janë më të detyruar të ofrojnë teste të përsëritura.

Nuk do të ketë më kufizime të kapacitetit për dyqanet, objektet e kohës së lirë dhe ato sportive: Këto institucione mund të përdorin kapacitetin e tyre të plotë. Mund të hapen edhe “Akuaparkë”. Vetëm në aktivitetet ku nuk kërkohet certifikatë Covid do të ketë kufizim në dy të tretat e kapacitetit të vendeve.

Relaksim për sektorin e hotelierisë: Nuk ka asnjë kufizim më për numrin e njerëzve në një tryezë. Në zonat e brendshme, duhet pasur patjetër një vend të uljes për konsum, duhet të respektohet distanca midis grupeve dhe duhet të mblidhet që një person nga grupi të japë të dhënat e kontaktit, transmeton albinfo.ch. Nëse nuk uleni, duhet të mbani maskë. Në ambientet e jashtme, nuk është e detyrueshme pasja e vendit për ulje dhe as mbledhja e të dhüenave të kontaktit.

Klubet dhe sallat e vallëzimit do të jenë të hapura për njerëzit që kanë certifikatë Covid. Nuk ka kufizime të tjera, si vënia e maskës, dhe  nuk kërkohen detajet e kontaktit.

Nuk ka asnjë kufizim për ngjarjet me certifikatë Covid – mund të zhvillohen përsëri aktivitetet me më shumë se 10,000 shikues  Ngjarjet me më shumë se 1000 pjesëmarrës kërkojnë një leje kantonale.

Aktivitetet private mbeten të kufizuara: Vetëm 30 persona mund të takohen në hapësira të brendshme private, dhe maksimumi 50 në ambiente të jashtme.

Sporti dhe kultura: Nuk ka më asnjë kufizim për njerëzit që merren bashkërisht me sport ose merren me aktivitete kulturore.

Hyrja në Zvicër bëhet më e lehtë: Detyrimi për karantinë hiqet thelbësisht për hyrjet nga zona Shengen. Testi i detyrueshëm vlen vetëm për ata që mbërrijnë me aeroplan. Personat nga vendet e treta që tregojnë prova se janë vaksinuar gjithashtu lejohen të hynë.

Lista e rrezikut BAG: Lista e rreziqeve tani përmban vetëm vendet në të cilat qarkullojnë variante shqetësuese të virusit. Për ata që  vijnë nga këto vende dhe nuk janë vaksinuar ose janë shëruar, kërkohet një test negativ dhe karantinë pas hyrjes.

Zgjatet periudha e mbrojtjes së vaksinimit dhe vlefshmëria e testeve: Periudha e mbrojtjes e vaksinave të aprovuara në Zvicër zgjatet në 12 muaj, vlefshmëria e testeve të shpejta të antigjenit nga 24 në 48 orë.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI