Kosova

Zvicra drejt zgjatjes së misionit të saj ushtarak në Kosovë deri në vitin 2029

Mandati i trupave zvicerane në kuadër të KFOR-it do të vazhdojë me maksimum 215 ushtarë, me mundësi rritjeje të përkohshme në rast nevoje.

Këshilli i Shteteve në Zvicër ka miratuar të martën vendimin për zgjatjen e misionit të Swisscoy në Kosovë deri në fund të vitit 2029, me 37 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime. Ky mision ndërkombëtar paqeruajtës zhvillohet në kuadër të operacioneve të NATO-s KFOR dhe përfshin pjesëmarrjen e ushtrisë zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Që nga tetori 1999, Zvicra ka dërguar kontingjentin e saj Swisscoy në Kosovë, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Aktualisht, numri maksimal i ushtarëve zviceranë që mund të angazhohen në këtë mision është 215, dhe mandati aktual skadon në fund të vitit 2026.

Këshilli Federal ka propozuar që mandati të zgjatet deri në vitin 2029, duke mbajtur të njëjtin numër trupash, me mundësinë që të shtohen deri në 30 persona shtesë në rast se situata e sigurisë përkeqësohet dhe KFOR-i kërkon përforcime.

Ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, theksoi se situata aktualisht është e qetë, por mbetet e paqëndrueshme, veçanërisht në veri të Kosovës, ku tensionet ndërmjet komuniteteve etnike janë ende prezente. Ai shtoi se gjatë vitit 2023, incidentet serioze të sigurisë e detyruan NATO-n të përforcojë KFOR-in dy herë, dhe se pjesëmarrja e Swisscoy konsiderohet e nevojshme derisa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen.

Sipas ligjit, pjesëmarrja e trupave zviceranë në misione ndërkombëtare duhet të miratohet nga parlamenti. Pas miratimit të vendimit nga Këshilli i Shteteve, radha i takon tani Këshillit Kombëtar.

Buxheti i parashikuar për misionin me 215 pjesëtarë është 48.9 milionë franga zvicerane, ndërsa çdo shtesë e mundshme e numrit të trupave do të financohet nga buxheti i Departamentit të Mbrojtjes.

Këshilli i Shteteve është dhoma e lartë e parlamentit zviceran, që përfaqëson kantonet e vendit.