Shkurt.ch

Zvicra, më e shtrenjta për të drekuar në restorante

Zvicra, Islanda dhe Norvegjia janë tri shtetet më të shtrenjta për ushqim

Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete relativisht jo të shtrenjta, pa dyshim që edhe çmimet janë jo shumë të larta në krahasim me vendet e tjera. E kështu nëse dy persona drekojnë në një restorant mesatar në Shqipëri, fatura nuk do t’i kalojë shumën prej 2,500 lekësh, shkruan albinfo.ch.

Krahasuar me një restorant i të njëjtit nivel në Zvicër, fatura në Shqipëri vjen rreth katër herë më e ulët, në krahasim me vendet e rajonit Shqipëria listohet ndër vendet e arsyshme, së bashku me Malin e Zi.

Sipas të dhënave të fundit që janë publikuar në Numbeo, raportohen tregues të ndryshëm mbi kostot e jetesës dhe cilësinë e jetës, transmeton albinfo.ch.

Është bërë e ditur se vendi më i shtrenjtë i Europës për të drekuar në një restorant mesatar është Zvicra. Dy persona të cilët do të porosisin një vakt me tre pjata kryesore do të paguajnë mesatarisht 10,887 lekë. Po kaq e shtrenjtë rezulton të jetë edhe Islanda, ku mesatarisht për të njëjtin standard kushton rreth 10.447 lekë, duke u ndjekur nga Norvegjia me një kosto prej 9.966 lekësh.

Danimarka renditet e katërta në Europë, ku në një restorant mesatar, dy persona do të paguajnë për një vakt me tre pjata 8.100 lekë, ndërsa në Holandë (e pesta në listë), fatura do të shkojë mesatarisht 7.300 lekë, po aq sa në Finlandë dhe në Belgjikë.

Po ashtu, është bërë e ditur se në Malin e Zi, në një restorant mesatar një drekë me tri pjata për dy persona kushton mesatarisht 3,000 lekë, më shtrenjtë edhe se në disa vende europiane si Sllovakia, Çekia apo Polonia, ku e njëjta menu kushton 2.800 lekë.

Nga ana tjetër, vendet më të lira të Europës për të ngrënë jashtë renditet Maqedonia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, ku një menu standarde me tri pjata kushton më pak se 2.000 lekë.

Duhet theksuar se edhe Serbia gjithashtu renditet vendi i katër në Europë për çmimet e lira në restorante, ku fatura për dy persona shkon mesatarisht 2.325 lekë.

Ndërkohë, për shqiptarët që këtë vit kanë si destinacion pushimesh Greqinë, duhet të jenë të përgatitur që një drekë për dy persona në një restorant mesatar atje do t’ju shkojë mesatarisht 3.900 lekë, ndërsa në Spanjë mbi 4.200 lekë. Kroacia është një variant më ekonomik, duke qenë se dreka për dy persona atje nuk shkon më shumë se 3.500 lekë.

Ndërsa në Itali, e cila njihet për shijen në ushqim, një drekë për dy persona do të shkojë mesatarisht 6.000 lekë. Italia renditet vendi i 12-të më i shtrenjtë në Europë. /Albinfo.ch.