Shkurt.ch

Zvicra mund të dalë nga zona e Shengenit

Sipas RTS, televizioni publik i Zvicrës, nëse referendumi ka sukses, anëtarësimi i Zvicrës në zonën Shengen do të përfundojë automatikisht

Një referendum që ka për qëllim refuzimin e ndryshimeve në ligjet e armëve në Zvicër i planifikuar për 19 maj 2019 mund të shkaktojë trazira të mëdha në aeroportet, në Cyrih dhe Gjenevë, sipas disa gazetave zvicerane.

Nëse votimi është i suksesshëm, kjo mund të çojë përfundimisht në përjashtimin e Zvicrës nga zona e Shengenit, shkruan “Le News”.

Nëse kjo do të ndodhte, stafi i imigracionit në aeroportet zvicerane do të duhet të kontrollojë pasaportat e të gjithë atyre që hyjnë dhe dalin në vendet e tjera të Shengenit, përcjell albinfo.ch.

Votimi synon të ndryshojë rregullat e reja mbi ligjet e armëve të paraqitura nga qeveria zvicerane në shtator të vitit të kaluar, në përgjigje të ndryshimeve në ligjet e armëve të BE.

Sipas RTS, televizioni publik i Zvicrës, nëse referendumi ka sukses, anëtarësimi i Zvicrës në zonën Shengen do të përfundojë automatikisht pas gjashtë muajve, përveç nëse një komision i zyrtarëve zviceranë dhe BE pranon ta zgjerojë atë brenda 90 ditëve, një skenar jo-real sipas disa analistëve, përcjell tutje albinfo.ch.

Zona e Shengenit është zona më e madhe e lirë e vizave në botë, duke mbuluar pjesën më të madhe të BE-së dhe vendeve jo-anëtare, si Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni.

Në Gjenevë, kjo do të nënkuptonte kontrollin e pasaportave të 5.5 milionë pasagjerëve shtesë, rreth 60% të numrit që kalon përmes aeroportit aktualisht, sipas André Schneider, drejtor i aeroportit të Gjenevës, i cili foli në gazetën “Le Matin”.

Përveç kësaj, për shkak të mënyrës se si aeroportet aktualisht janë konfiguruar, nuk ka hapësirë ​​të mjaftueshme për të kryer kontrollet. Sipas “EconomieSuisse”, rikonfigurimi i kërkuar në Aeroportin e Cyrihut do të kushtonte 65 deri në 125 milionë franga, përcjell albinfo.ch.

Cili është subjekti i këtij  referendumi?

Më 19 maj, votuesve zviceranë do t’u shtrohet pyetja e mëposhtme:

“A pranoni Dekretin Federal të 28 shtatorit 2018 për miratimin dhe zbatimin e shkëmbimit të shënimeve midis Zvicrës dhe BE-së lidhur me rifillimin e Direktivës së BE 2017/853 që ndryshon Direktivën e BE-së për armët?

Qeveria zvicerane ka paralajmëruar për pasojat nëse votuesit votojnë ‘jo’ në referendum dhe hedhin poshtë ligjet e reja, përcjell albinfo.ch.

Çfarë është në rrezik?

“Në rast se dispozitat e reja refuzohen, bashkëpunimi midis Zvicrës dhe shteteve të tjera të Shengenit dhe Dublinit automatikisht do të pushojë, përveç nëse shtetet e tjera dhe Komisioni i BE-së ofrojnë lëshime në Zvicër”, tha qeveria në një deklaratë.