Bota

BE: Shumë fëmijë refugjatë, në duart e kontrabandistëve

Avramopoulos u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit për të bërë më shumë për të ndaluar trafikimin e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga të rriturit

Komisari për Migrim, Dimitris Avramopulos, paralajmëroi se shumë fëmijë emigrantë kanë rënë në duart e kontrabandistëve dhe trafikantëve, madje shumë prej tyre janë abuzuar seksualisht.

Për këto arsye Avramopoulos u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit për të bërë më shumë për të ndaluar trafikimin e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga të rriturit.

Përndryshe, këta fëmijë do të jenë në rrugët e qyteteve evropiane, paralajmëroi ai, duke folur në një konferencë në Maltë, pasi ministrat e brendshëm të BE-së diskutuan për krizën e emigrantëve, transmetojnë mediat franceze, përcjell albinfo.ch.

Avramopulos, atdheu i të cilit, Greqia, është goditur rëndë nga vala e refugjatëve dhe emigrantëve që u larguan nga lufta në Siri dhe vende të tjera, ka thënë se vendet anëtare të BE-së “duhet të marrin përgjegjësi”.

“Disa politikanë janë të mirë në retorikë, por jo me vepra”, përfundoi ai.

Të dhënat e BE-së tregojnë se në vitin 2015 rreth 90 mijë fëmijë të pashoqëruar kanë hyrë në Evropë dhe agjencia e policisë evropiane “Europol” një vit më parë tha se rreth 10.000 fëmijë të emigrantëve janë zhdukur, duke paralajmëruar se shumë fëmijë mund të kenë rënë në duart e trafikantëve.