Bota

Bie numri i të kthyerve “vullnetarë” nga Gjermania

Në tre muajt e parë të vitit, në vendet e tyre vullnetarisht janë kthyer gjithsej 8468 persona. Ky numër është afërsisht sa gjysma e atij të regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2016, kur këtë opsion e kishin shfrytëzuar 13848 veta

Ka gjithnjë e më pak refugjatë që paraqiten për ta lëshuar në mënyrë “vullnetare” Gjermaninë. Thonjëzat te cilësimi “vullnetar” kanë të bëjnë me presionin që, së paku sipas ambientalistëve gjermanë (Die Grünen), u bëhet refugjatëve për të hequr dorë nga kërkesa për azil, transmeton albinfo.ch. Kjo, në rrethanat kur ata në fakt nuk kanë gjasa për të fituar azilin.

Sidoqoftë, në tre muajt e parë të vitit, në vendet e tyre vullnetarisht janë kthyer gjithsej 8468 persona. Ky numër është afërsisht sa gjysma e atij të regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2016, kur këtë opsion e kishin shfrytëzuar 13848 veta. Kështu shkruan Funke.de, duke iu referuar shifrave nga Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë.

Shumica e atyre që janë kthyer kanë qenë nga Shqipëria, Serbia, Iraku, Maqedonia, Afganistani dhe nga Kosov. Gjatë gjithë vitit 2016, siç kanë raportuar mediat gjermane, numri më i madh i të kthyerve kanë qenë ai i shqiptarëve.  Federata dhe disa nga republikat (landet) stimulojnë këtë mënyrë kthimi, duke dhënë, në bazë të kushteve të caktuara, së paku 1000 euro për person si ndihmë fillestare,

Më parë kishte një trend të rritjes së numrit të të kthyerve vullnetarë, përcjell albinfo.ch. Kështu, nëse në vitin 2014 gjatë gjithë vitit ishin kthyer 13574 persona, në vitin 2016 ishin 54.006 që e kishin bërë këtë veprim.