E-Diaspora

Daut Demaku sjell aforizmat në gjermanisht në Zvicër

Prej Soloturnit e deri në Bazel shkrimtari nga Kosova ka promovuar për lexuesit në Zvicër afrorizmat në gjuhën gjermane.

Aforizma, thënie të bukura, fjalë të mëdha solli këtë herë në Zvicër shkrimtari i njohur dhe promovuesi i idesë së mendimit pozitiv, Daut Demaku.


Ai ka qëndruar këto ditë në disa qytete të Zvicrës për të promovuar botimin e librit «Aforizma» në gjermanisht („Aphorismen Das Positive Denken Im Leben“), nën përkujdesjen e profesor Klaus Wloemer, Ambasadës së Kosovës në Zvicër dhe Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih.

Demaku ka shëtitur në disa qytete, që nga Berna, duke i lexuar për bashkatdhetarët aforizmat në gjuhën shqipe, e që janë lexuar në të njëjtën kohë dhe në gjermanisht nga studentja e gjermanishtes në Prishtinë, Argita Tolaj, që po e shoqëronte profesorin edhe në promovim në Qendrën Kulturore në Cyrih.

Interesim të madh për librin e Daut Demakut kanë treguar bashkatdhetarët edhe në Qendrën Kulturore në Cyrih.
Nga interesimi i madh ishte e pamundur të hyjnë të gjithë për t’i dëgjuar aforizmat e Daut Demakut. Promovim i njëjtë ishte organizuar nga Qendra Kulturore edhe në Basel.

Ai ka dhënë autografe për librin e tij të mendimit pozitiv, ndërsa Qendra Kulturore e Kosovës kishte organizuar një koktej rasti për mysafirët e mbledhur.