Jeta në Zvicër

Diplomatët e huaj në Zvicër nuk i paguajnë gjobat në komunikacion

Gjobat mund të shqiptohen, por nuk është e thënë që të paguhen. Vetëm në Gjenevë, diplomatët ndërkombëtarë nuk kanë paguar gjoba që vlerësohen në shuma milionëshe.

Një vlerësim i «SonntagsZeitung» ka treguar se sa të holla shpëtojnë nga sektori publik për shkak të mospagesës së gjobave nga diplomatët.

Në Kantonin e Bernës, në periudhën nga 2014 deri 2017, ndaj familjarëve të misioneve diplomatike e konsullore, si dhe nëpunësve të organizatave ndërkombëtare, janë shqiptuar gjoba në një shumë prej mbi 745 000 frangave. Me këtë rast, kantoni ka mundur të arkëtojë vetëm 141 300 franga, duke mbetur “më i varfër” për mbi 600 000 franga.

Gjendje edhe më e keqe është në Kantonin e Gjenevës, shkruan “Blick”, përcjell Albinfo.ch.

Në të njëjtën periudhë, shuma e papaguar e shqiptimit të gjobave ka arritur në mbi 4 milionë franga, ndërsa janë arkëtuar vetëm 629 000 franga. Deri më tani mungojnë edhe 3,4 milionë franga.

Policia ka mundësi t’i dënojë vozitësit me pasaportë diplomatike, që bëjnë kundërvajtje. Po që se përfaqësia diplomatike nuk e paguan gjobën, policia nuk mund ta detyrojë të paguajë, pasi diplomatët janë të mbrojtur juridikisht me imunitet.

Policia ka ndërhyrë përmes Ministrisë për Punë të Jashtme në Bernë apo edhe misioneve zvicerane në Gjenevë, mirëpo pa ndonjë sukses.