Shkurt.ch

Fitore historike e grave dhe e të majtës në Solothurn

Dy vendet e mbetura vakante në qeverinë kantonale i kanë fituar dy gra dhe të dyja të majta: Susanne Schaffner nga SP dhe Brigit Wyss nga Partia e Gjelbër

Zgjedhja që kanë bërë sot votuesit në raundin e dytë të zgjedhjeve për ekzekutivin e kantonit Soloturn po konsiderohet befasuese dhe historike. Dy vendet e mbetura vakante në qeverinë kantonale i kanë fituar dy gra dhe të dyja të majta.

Susanne Schaffner nga Partia Socialdemokrate ka fituar 30.747 vota ndërsa Brigit Wyss nga Partia e Gjelbër, 30.304 vota. Kjo e dyta është kandidatja e parë e gjelbër që arrin të zgjidhet në ekzekutivin e Kantonit të Solothurnit.

Është po ashtu hera e parë që në qeveri zgjidhen dy femra.

Nga ana tjetër FDP për herë të parë pas 65 viteve e humb njërin nga dy vendet që i ka pasur në ekzekutiv. Kandidatja e kësaj partie, Marianne Meister ka marrë vetëm 25.759 vota, që nuk i kanë mjaftuar për të bërë vend në qeverinë që ka 5 vende.

Pjesëmarrja e votuesve në raundin e dytë ka qenë e ulët, 30.65%.

Me gjithë suksesin e të majtës, sërish është e djathta ajo që e ka shumicën në ekzekutiv: CVP ka dy vende dhe FDP një.