Sport

Futbollistët shqiptarë të suksesshëm në skuadrat zvicerane

Mesfushori shqiptar Muhamed Demiri ka dërguar skuadrën e Thunit në çerekfinale të Kupës së Zvicrës.

Futbollisti shqiptar ka shënuar golin e vetëm në fitoren 1:0 të Thunit si mysafir kundër St. Gallenit. Ndeshja e një të tetës së finales u luajt të shtunën mbrëma. Demiri, që të shtunën festoi ditëlindjen e 25-të, realizoi në minutën e 70-të. Ai në lojë hyri në minutën e 68-të. Për St. Gallenin nga minuta e 74-t luajti mesfushori kosovar Kristian Nushi.

Ndryshe në çerekfinale u kualifikua edhe kampioni në fuqi, Baseli që pas penalltive mposhti Servetten.

Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi 1:1.

Për Baselin tërë ndeshjen luajtën mbrojtësi Beg Ferati dhe mesfushorët Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.