Maqedonia

Histori vs. Politikë, si lindi kontesti i emrit mes Athinës dhe Shkupit: nga antikiteti deri te Titoja

Dhjetëmijëra persona janë mbledhur në 24 vendbanime greke për të protestuar marrëveshjen e pretenduar mes Athinës dhe fqinjit të saj verior që përfshin ndarjen e identitetit maqedonas mes dy popujve. Ata kërkojnë referendum.

“Ne nuk duam të jemi përgjegjës për pagëzimin e një shteti pranë dyerve tonë me emrin Maqedoni,” tha Mihalis Patsikas, një fermer ullinjsh dhe ish trajner në gjimnaz, që ka ndihmuar në organizimin e 15 protestave në Greqinë veriore të quajtur Maqedoni. “A është ndokush duke na kërcënuar ne? Le të na tregojë qeveria. Jemi ne populli që do i kundërvihemi çfarë do lloj kërcënimi. Nuk kthehemi mbrapsht. Grekët çdoherë kanë ditur ti kundërpërgjigjen luftës.”

Greqia dhe ish republika jugosllave e Maqedonisë kanë shpeshtuar takimet nga janari i këtij viti për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për emrin. Në kohën kur në Shkup protestohet për të mos pasur ndryshime kushtetuese, në Greqi protestohet për të mos u përdorur termi “Maqedoni” në emrin e ri të fqinjit verior.

Histori versus politikë

Rreth 2000 persona protestuan në Pella, ku arkeologët kanë filluar punimet për gërmimin e 400 hektarëve tokë – aty ku mendohet se fshihen edhe 6 hektorë të pallatit mbretëror të Filipit dhe djalit të tij Aleksandër.

“Në antikitet, Maqedonia ishte një sipërfaqe që sot korrespondon me provincën veriore greke,” thotë Stephen Miller për “Al Jazeera“, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. “Aty ka një dallim gjeografik, gjeologjik: një vargmal që ndan atë nga rajoni i Shkupit. Rajoni ku ndodhet tani Shkupi, në kohët antike quheshte Paionia. Ishte mbretëri. Nuk dijmë shumë për atë.”

Më tej Miller shton se babai i Aleksandrit, Filipi, mposhti mbretërinë e Paionisë dhe mori në zotërim këtë mbretëri. Një nga aleatët e Aleksandrit për pushtimin e Persisë ishin edhe paionët.

Kur jemi te paionët, prestigjiozja britanike “Financial Times” në qershor 2017 botoi një artikull sesi e shihte zgjidhjen e kontestit të emrit mes Athinës dhe Shkupit.

“Për shkak të rëndësisë vitale për t’u arritur stabiliteti në Ballkan, unë sugjeroj që emri i ri duhet të jetë “Paeonia”. Banorët duhet të jetë shumë krenar me këtë emër, pasi për dallim nga Maqedonia, Paionët kurrë nuk njohën besnikërinë ndaj Mbreti të Madh të Persisë gjatë periudhës 512 deri 496 p.e.s.,” shkruan Malcolm Spencer nga Universiteti i Manxhesterit, për “FT”.

Megjithatë Miller mendon se maqedonasit antikë merrnin pjesë në lojërat olimpike greke, të cilat ishin të hapura vetëm për grekët.

“Dhe gjuha e maqedonasve antikë ishte greqishtja, sot në Maqedoni flasin gjuhë sllave.”

Gjuha maqedonase lindi 1937, Maqedonia 1944

Një identitet për maqedonasit u krijua gjatë Internacionales Komuniste në 1937, shkruan media gjermane “Neues Deutschland”. Dhe në të vërtetë me gjithçka çfarë duheshte: himnin, mitet, flamurin dhe natyrisht gjuhën. Maqedonishtja vlente si gjuhë bullgare, por kjo u reformua përmes Titos duke krijuar standardin e saj si gjuhë e veçantë më vonë edhe me alfabetin e saj të kodifikuar qirilic. Slavisti Ivan Lazarov, i cili jep mësim në Universitetin e Shkupit, citon kolegun e tij gjermano-hebrej, Franz Rosenzveig (1886-1929): “Gjuha është më shumë sesa gjaku.”
Këtë e dinte edhe jo -filologu, Josip Broz Tito, i cili më pas me krijimin e Bllokut të Painkuadruarve me Naserin, Nehrun dhe Sukarnon, u kthye ndër njerëzit më të popullarizuar në botë. Pas vdekjes së Titos, shteti i Jugosllavisë do shpërbëhej dhe ku Maqedonia fitoi pavarësinë e saj. Dhe normalisht me gjuhën e saj.

Nga emri i shtetit maqedonasit përvetësuan Aleksandrin e Madh, babain e tij Filipin e Dytë dhe nënën e tij Olimpia, që janë vendosur në Shkup në kuadër të projektit qindra-miliona euro dhe provokativ jo vetëm për shtetet fqinje, por edhe për popullsinë shqiptare, përcjell albinfo.ch. shkrimin e “Neues Deutschland”.

Ngjashëm mendon edhe arkeologu Miller, që Maqedonia e sotme u “krijua në 1944 nga Tito me qëllimin e vetëm për të aneksuar më vonë Selanikun dhe që të kishte dalje në detin Egje. Ky qëllim është i gjallë akoma,” thotë ai për “Al Jazeera”.

Probleme kushtetuese

Propozime për zgjidhjen e emrit mes Athinës dhe Shkupit ka pasur sëpaku dhjetë: pesë nga ndërmjetësi i OKB, Metju Nimiç – Republika e Maqedonisë së Re, Republika e Maqedonisë së Epërme, Republika e Maqedonisë Veriore, Republika e Maqedonisë së Vardarit dhe Republika e Maqedonisë (Shkup), tre si i përmendi deputeti qeveritar i BDI Artan Grubi për E-Kathimerini, “Republika e Krushevës” (Krusevska Makedonija), “Republika e Maqedonisë moderne” dhe “Republika e Maqedonisë Europiane”, një që doli edhe nga vetë goja e kryeministrit Zoran Zaev, “Republika e Maqedonisë së Illindenit” dhe një propozim i vjetër nga përfaqësuesi grek Adamantuios Vasilakis: “Maqedonia sllavo-shqiptare”. Kjo e fundit u kundërshtua katërcipërisht jo vetëm nga maqedonasit, por edhe nga Bujar Osmani i BDI-së, që atëherë bashkëqeveriste me VMRO-DPMNE të Nikola Gruevskit.

Por si do që të jetë zgjidhja, pala greke kërkon ndryshime kushtetuese. Në preambulën e Kushtetutës së Shkupit qëndron: “e popullit maqedonas dhe luftërave të tyre me shekuj për liri kombëtare dhe sociale.”

Kjo preambulë veç tjerash përfshin kryengritjen e Krushevës, që u shua nga Perandoria Osmane pas dhjetë ditësh dhe i referohet edhe vendimit historik të luftës anti-fashiste të partizanve në 1944. Pas LDB sllavët e Republikës Jugosllave të Maqedonisë e quanin veten “maqedonasit etnikë”, për të kundërshtuar shtypjet në Bullgari dhe Greqi.

Për të ndryshuar kjo pjesë e kushtetutës, qeveria maqedonase me shumicë të thjeshtë, nuk mund ta kryejë kurrë, pasi nuk ka mbështetje të opozitares VMRO-DPMNE.

“Kufij artificialë’

Por ide irredentiste janë shfaqur edhe nga politika greke. Ministri i jashtëm grek Antonis Samaras (më vonë edhe kryeministër) në 17 janar 1992 do deklaronte se “këta kufij artificialë” duhet të bien dhe të “lejoni vëllezërit maqedonas të dy anëve të bashkohen”.

Në anën tjetër neni 3 i Kushtetutës së Maqedonisë sheh mundësi të hapur që “të ndryshojnë kufijtë e e vendit”, ndërsa neni 49 shkruan se “Republika kujdeset për pozitën dhe të drejtat e pjesëtarëve të popullit maqedonas në shtetet fqinje.”

Greqia sheh kërcënim që kjo përbën pretekst për të ndërhyrë në punët e brendshme të saj në bazë të irredentizmit. Për të zbutur Athinën, Shkupi zyrtar ka shtuar një paragraf se “Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale për asnjë shtet fqinj”, megjithatë nenet e sipër përmendura mbeten.

Këta janë disa probleme rajonale, të njohura prej kohësh në Ballkan. Por tashmë mbetet mundësia e fundit, që të zgjidhet kontesti i emrit dhe ti hapet rruga integruese Maqedonisë dhe të krijohet një mundësi e mirë për paqen afatgjate në rajon. Nëse sot jo, atëherë kur?